×
Friday, March 28, 2025

Media një ‘fast-food’ i preferuar nga të gjithë

December 11, 2019


Sot jetojmë në një fshat global ku informacioni është ai që nuk mungon asnjëherë. Sot jetojmë në një botë ku ne jemi të bombarduar nga informacioni, e shpesh herë nuk jemi në gjendje të selektojmë atë informacion që është i vlefshëm apo që na intereson. Në këtë fshat global secili prej nesh është kthyer në një sonambël, ku askush nuk mendon më, por thjesht thith ato informacione që media përcjell pa mundur t`i analizosh apo të kuptosh thelbin e situatës.

Sot media është kthyer në një shërbëtore të politikës. Nëse dikur media u krijua për të shërbyer si pushteti i katërt, sot media nuk është asgjë veçsë një shërbëtore e pushtetit dhe interesave të tjera më të ngushta. Por pavarësisht kësaj, sot askush nuk mund të jetojë pa përdorur apo dëgjuar të paktën një media në ditë. Kjo për arsye se sot mediat nuk i japin më formë jetës sonë; ato janë jeta jonë, që nga momenti kur i hapim sytë nga alarmi i orës ose i celularit tonë, nga mijëra billborde që shohim në rrugë, nga revistat e gazetat ditore që i shfletojmë gjatë ditës, e derisa nuk na zë gjumi me televizorin apo kompjuterin përpara. Me vetëdije apo jo, ne marrim e dërgojmë me mijëra informacione e porosi në ditë përmes mediave të ndryshme. Media është diçka që e shfrytëzojmë kur duam që në mënyrë indirekte të komunikojmë me njerëzit e tjerë.

Duke parë këtë impakt që ka televizioni mbi jetën e gjithsecilit, atëherë vlen të theksoj se kjo botë informacionesh dhe televizioni po kthehet në një rrezik për shoqërinë, pasi shoqëria sot nuk është e gatshme të mendojë vetë, të interpretojë atë çka i serviret si dhe është e prirur të besojë çdo informacion që dëgjon. Këtu vlen të citoj filozofin e njohur Pierre Bourdieu, i cili në librin e tij “Mbi televizionin” gjykon se televizioni na kërcënon të gjithëve në forma të ndryshme. Kjo pasi televizioni sot thërret për dramatizim, që do të thotë që në skenë një ngjarje vihet duke i`a ekzagjeruar rëndësinë, karakterin dramatik dhe tragjik. Sot televizoni i kushton rëndësi të veçantë përzgjedhjes së fjalëve. Me fjalë të zakonshme nuk e “habisim dot popullin”, ndaj duhen fjalë të jashtëzakonshme. Në fakt, paradoksalisht, bota e imazhit është e dominuar nga fjala, ndërkohë që teorikisht filozofë të shumtë janë shprehur se foto apo imazhi vlen më shumë se fjala e thënë, sot ndodh e kundërta. Sot një imazh duhet patjetër të përcillet me fjalë, kjo pasi shoqëria është kthyer në një shoqëri fast-foodi ku nuk është më në gjendje të kuptojë asgjë përveçëse të përtypë atë çka i përcillet.

Edhe Pierre Bourdieu pikërisht këtë tregon në librin e tij “Mbi televizionin”. Ai tregon rreziqet që i vijnë nga ekrani i madh shoqërisë. Sipas Bourdieu televizioni është një censurë e padukshme. Sipas tij, kjo buron kryesisht prej pronarëve të mediave që janë të lidhur ose kanë pronësi të dyfishtë me aktivitete të tjera. Sot shpesh, pronarët e mediave janë të lidhur me politikën, ç’ka sjell censurë për kronikat e gazetarëve. Kjo është një gjë e zakonshme në ditët e sotme pasi mjaft televizione cilësohen si e X apo Y partie, duke vënë në pikëpyetje edhe informacionin që transmetohet si dhe vërtetësinë e saj. Ky binom politikë-media i jep mundësinë spektatorit të përballet me një realitet tjetër, një realitet që politika kërkon që shoqëria të shohë. Ne jemi dëshmitarë të këtij realiteti, duke qenë se çdo ditë hasemi me lajme dhe ngjarje të cilat ose janë eklipsuar për shkaqe poltike apo nga krahu tjetër janë theksuar po për të njëjtat shkaqe.

Televizioni tregon, por më shumë fsheh duke krijuar kështu një tjetër realitet. Ky është realiteti i gazetarëve, i vijës redaksionale. Këta përzgjedhin se çfarë do të transmetohet, duke krijuar kësisoj një realitet të dyfishtë. Televizioni ka një lloj monopoli në formimin e trurit të një pjese shumë të madhe të popullsisë. Kështu, duke i vënë gjithnjë e më shumë rëndësi kronikës së zezë, ne e mbushim këtë kohë të rrallë televizive me informacion bosh, me asgjë ose me pothuaj asgjë, kështu shmanget informacioni që qytetari duhet të marrë për të ushtruar të drejtat e tij demokratike. Madje në mjaft raste ashtu si përcillet një lajm i kronikës së zezë në një televizion, nuk përcillet në një televizion tjetër. Kjo jo për arsye se secili do të shesë lajmin e tyre në formë scoopi pa vrarë mendjen nëse është apo jo një informacion i saktë. Kërkimi i ekskluzivitetit, që në fusha të tjera sjell origjinalitetin dhe veçantinë, në këtë rast prodhon uniformizim dhe banalitet.

Bourdieu gjithashtu kritikon televizionin si diçka te shtirur dhe të inskenuar, duke marrë si shembull debatet televizive. Sipas tij debatet televizive dhe jo vetëm, janë inskenime për të tërhequr audiencë, pasi të ftuarit në këto formate janë miq me njëri-tjetrin apo sepse në mjaft raste debatet janë shpesh të përgatitura me biseda paraprake mes pjesëmarrësve. Kjo vihet re tek debatet tona televizive ku gjatë kohës së transmetimit të ftuarit mundohen të bëjë zhurmuesin, të zihen me njëri-tjetrin në rast se ato janë kundërshtarë politikë. Por e kundërta ndodh pas kuintave, ku ato sillen miqësisht pasi fundja të gjithë janë miq me njeri-tjetrin. E gjitha bëhet vetëm për shoë dhe për të fituar sa më shumë audiencë. Por kjo ka ardhur edhe si rezultat i audiencës, pasi duke qenë se audienca jonë është një audiecë e cila pranon të shohë e degjojë çfarë i ofrohet pa qenë selektues, atëherë edhe produkti do të jetë ky që ofrohet nga media. Një mendje e bombarduar nga informacioni dhe zhurma e ka të vështirë të jetë interpretativ dhe selektiv. Ndaj mendoj se edhe kjo lloj audience që televizioni e ka transformuar, drejton gjithnjë e më shumë përmbajtjen televizive dhe projektimin e programeve të cilët pikërisht nga kjo arsye janë kthyer në sipërfaqësorë.
“Sot, kush i ushqen tjetrit idenë se është duke menduar, fiton dashurinë e tij. Kush e shtyn drejt mendimit, mund të fitojë veçse urrejtjen e tij”, thotë Tinder, duke dhënë ndoshta përkufizimin më të qartë se, përse sot ka kaq pak kritika lidhur me atë që na nevojitet të gjithëve të ndryshojë dhe përse sa herë që shtohet e keqja shuhen edhe më shumë kritikat.

Bourdieu shprehet se pikërisht këto problematika i kanë shndërruar televizionet në pasqyra që pasqyrojnë me një detaj më të madh imazhin dhe legjendën e një tjetri. Duke i hequr kështu mundësinë mendimit të vërtetë të marrë frymë dhe jetë. Duke krijuar ato çfarë ai i quan fast-thinker të cilët i përgjigjen çdo pyetje që mund t’i lindë gazetarit por që kanë instiktin e panelistit që idetë i ka të dëgjuara. Për pasojë, ky produkt ushqen jo pak mendimet dhe qëndrimet tona mbi tema me rëndësi, jo vetëm për të sotmen por edhe për të ardhmen.

Në përfundim, referuar edhe librit “Mbi televizionin”, them se televizioni është jo vetëm ndikues drejtpërdrejt në atë çka ai shpërfaq, me të cilat ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve, por ai ndikon edhe në sfera të tjera të prodhimit kulturor, si arti, letërsia, shkenca, filozofia, por edhe ligji, si edhe në jetën politike dhe demokracinë”, duke shuar kështu njeriun që mendon, që ka të drejtë të mendojë dhe të zgjedhë. Televizioni duhet të informojë publikun dhe ta bëjë atë dyshues dhe kritik, por jo ta bëjë publikun shurdh-memec dhe dëgjues pasiv.

Nga: Joana Allushi

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments