×
E martë, 24 Nëntor, 2020

Mbretëria e Bashkuar u mundëson banorëve të Hong Kongut shtetësi britanike

1 Korrik, 2020

Mbretëria e Bashkuar konfirmoi sot se marrëveshje të reja do të vendosen për shtetasit britanikë jashtë vendit (overseas) në Hong Kong pasi Kina filloi zbatimin e ligjit të sigurisë kombëtare në rajon.

Shtrirja e të drejtave për viza vjen pasi Britania akuzoi Kinën për shkelje të Deklaratës së Përbashkët të vitit 1997, kur Britania ia dorëzoi Kinës Hong Kongun.

Rregullat e reja të veçanta të imigracionit do t’u lejojnë qytetarëve të Hong Kongut që kanë viza për në Mbretërinë e Bashkuar, të jetojnë dhe punojnë në aty për më gjatë, deri në pesë vjet, dhe pastaj t’u japin atyre një mundësi drejt shtetësisë së plotë britanike. Oferta është e hapur për 2,9 milionë njerëz në Hong Kong.

Sekretari i Jashtëm Dominic Raab tha se Britania nuk do të mbyll sytë për Hong Kongun dhe “nuk do t’u shmanget përgjegjësive historike ndaj popullit të tij”.

“Britania do të vazhdojë të ngre zërin për popullin e Hong Kongut dhe do të respektojë angazhimin e saj ndaj tyre me statusin e shtetasve britanikë (jashtë shtetit)”, shtoi ai.

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel, gjithashtu shprehu kundërshtimin e tij ndaj veprimit kinez.

“Vendimi i Kinës për të imponuar ligjin e sigurisë kombëtare në Hong Kong është thellësisht i padëshirueshëm. Tani që Kina e ka miratuar këtë ligj, ne do të fillojmë një rrugë të re të imigracionit për shtetasit britanikë (jashtë shtetit) dhe familjet e tyre”, tha ajo.

“Mbretëria e Bashkuar ka një detyrim historik dhe moral ndaj shtetasve britanikë në Hong Kong dhe ne do të respektojmë detyrimin tonë ndaj tyre”, shtoi Patel.

Ligji i ri kinez u miratua dje dhe tashmë ka filluar implementimi në ish-koloninë britanike.

Gjatë ditës së sotme u regjistruan mbi 300 arrestime të aktivistëve të Hong Kongut që protestonin ndaj ligjit të ri, duke ngritur flamuj të pavarësisë.

Pamjet në rrjetet sociale shfaqën reagimin e policisë me gaz lotsjellës.

Mbretëria e Bashkuar dje e quajti miratimin e ligjit për sigurinë kombëtare një “hap të rëndë” që është “thellësisht shqetësues”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për