×
Thursday, September 23, 2021

Mbërrin në Kosovë avioni me grupin e parë të qytetarëve afganë

August 29, 2021

Grupi i qytetarëve afganë prej 111 persona, që do të strehohen përkohësisht në Kosovë, mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, pak minuta pas orës 20:00 të së dielës.

Autoritetet thanë se shumica e afganëve, që kanë mbërritur në Kosovë, janë gra, fëmijë e pleq dhe janë familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

Pas mbërritjes, grupi i qytetarëve afganë po qëndron fillimisht në terminalin e vjetër të Aeroportit të Prishtinës, ku po iu ofrohet asistenca mjekësore dhe po testohen për COVID-19.

Autoritetet thanë se qytetarët e parë afganë pritet të strehohen në një kamp, që është përdorur nga një kompani private, që gjendet në afërsi të kampit “Bondsteel” të ushtrisë amerikane në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, tha se ende nuk është përcaktuar saktë numri i qytetarëve afganë, që do të strehohen në Kosovë por, sipas tij, nuk do të jetë i madh dhe do të vlerësohen kapacitetet e vendit.

“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër, tani kemi konfirmimet e radhës për aterimet e ardhshme, është çështje e organizimit të aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjes së avionëve për në Kosovë”, – tha zoti Sfeçla.

Në Aeroportin e Prishtinës, qytetarët afganë u pritën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Ne sot para të gjithë atyre treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona, sepse, si njerëz që kemi qenë viktima të pushtetit gjenocidial, e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote, prandaj ne jemi krenarë, që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të gjithë këtye partnerëve, nga SHBA-të deri te shteti i fundit i NATO-s, në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe që ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurtë”, – tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Është nder për neve, është nder për mua, që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë sikurse të gjithë popujt dhe qytetarët tjerë në botë e meritojnë të kenë të drejta dhe liri. Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja “Pse?”, por ne themi vetëm “Si?”. Pra të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike e logjistike se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre”, – tha kryeministri, Albin Kurti.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.​

Eunews.al

Comments are closed.