Mbërrijnë 735 votat e para nga diaspora, Celibashi: Gjithçka sipas parashikimeve, monitorim 24 orë i ambienteve

17 Apr 2025 22:54
Shpërndaje:

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur sot se deri tani kanë mbërritur në Shqipëri 735 zarfe me votat e shqiptarëve jashtë vendit, të cilat po administrohen nga KQZ.

Në një prononcim për mediet nga Parku Olimpik në Tiranë ku po administrohen zarfet e para me votat e diasporës, Celibashi u shpreh se procesi po zhvillohet në përputhje me të gjithë protokollin që KQZ kishte parashikuar për marrjen në dorëzim të dokumentacionit zgjedhor që mbërrin në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Kanë mbërritur deri tani 735 zarfe, ose vota më mirë të themi. Sapo bëmë evidentimin e dy votave të para, njëra ishte nga Gjermania dhe i përket qarkut Berat dhe tjetra ishte për qarkun Dibër nga Franca. Dy zarfat e parë që ne hapëm janë të rregullt nga çdo pikëpamje”, tha ai.

Reklamë Ola

Celibashi sqaroi për mediet edhe procedurat e administrimit të zarfeve me votën e diasporës.

“Ne grisim zarfin e DHL-së, poshtë zarfit të DHL-së nxjerrim zarfin B i cili përmban zarfin A dhe brenda zarfit A gjendet fleta e votimit. Të gjitha zarfet B ndahen sipas qarqeve dhe depozitohen në kutitë përkatëse të votimit të qarqeve përkatës. Në datën 11 maj, pasi të përfundojë procesi i votimit dhe të fillojë procesi i numërimit do të nxjerrim zarfat B nga kutia. Pas zarfit B do të nxjerrim zarfat A. Zarfat A, të gjithë do të grumbullohen në një kuti tjetër të veçantë me qëllim që mos të identifikohet se kujt i përket zarfi A dhe pastaj do të fillojë procesi i numërimit”, sqaroi Celibashi.

Reklamë InterMedika

Duke ilustruar me qarkun e Tiranës, Celibashi tha se “në momentin që do të fillojë procesi i numërimit për qarkun e Tiranës për votat brenda vendit do të fillojë edhe procesi i numërimit dhe vlerësimit të të votave të votuesve nga jashtë që janë të regjistruar në qarkun e Tiranës”.

I pyetur mbi elementët e sigurisë, Celibashi sqaroi se kutitë do të qëndrojnë në këtë ambient, që është i mbikëqyrur me kamera 24/7.

“Madje në gjashtë kanale transmetohen pamjet në Youtube, janë kanale të KQZ-së, gjë që do të thotë se edhe vetë votuesit që kanë interesa për kuriozitet mund ta vëzhgojnë dhe mund ta ndjekin procesin çfarë ndodh në këtë ambient. Por nga ana tjetër, partitë politike, vëzhgues të ndryshëm, kanë mundësi që të jenë prezent 24/7 në këtë ambient për të parë se si administrohen këto kuti. Forcat e Policisë janë patjetër, por janë edhe përfaqësues të partive politike në mënyrë permanente, nëse dëshirojnë të jenë”, shtoi ai.

Celibashi sqaroi se çdo zarf që do të ketë orën e hyrjes pas datës 11 maj ora 19:00 nuk t’i nënshtrohet procesit të numërimit dhe vlerësimit.

Duke folur mbi procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit, Celibashi theksoi se kanë ngelur pa filluar qarku i Shkodrës dhe qarku i Vlorës. “Gjithë qarqet e tjera janë në proces përpunimi të dokumentacionit dhe dërgimit përmes DHL-së në shtetet përkatëse. Deri para dy orësh janë rreth 80 mijë persona që kanë marrë zarfin”, tha ai.

I pyetur mbi shqetësimet e opozitës për operatorin postar që shpërndan zarfet, Celibashi theksoi se “zarfat shpërndahen të gjithë nga DHL dhe marrëdhënia kontraktuale e KQZ-së është me DHL-në”.

“Por natyrshëm ka shtete apo rajone të caktuara të shteteve të ndryshëm ku DHL nuk e ka vetë shërbimin dhe ka operatorë të tjerë. Në dijeninë tonë nuk ka asnjë operator global që të ketë shtrirje në çdo qytet dhe fshat të globit. Kjo është në përputhje me parashikimet kontraktuale dhe nuk besoj se ka shqetësim, nëse nuk konsiderohet shqetësim fakti se këto zarfe janë dorëzuar në votuesve të caktuar nga një nënkontraktor i DHL-së. Edhe për shtete si Irani apo Rusia, meqenëse për shkak të politikave të sanksioneve që ka vendosur BE, DHL nuk operon në këto dy shtete, sipas asaj që kompania na ka bërë me dije normalisht do të kontraktoj një kompani lokale për ta kryer këtë shërbim”, sqaroi Celibashi.