Mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut



Në seancën e parë konstituive pas zgjedhjeve të 15 korrikut, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka verifikuar mandatet e 120 deputetëve të ri,
Verifikimi i mandateve të deputetëve u votua nga 116 deputetë, pa asnjë kundër apo abstenim.
Zgjedhja e kryetarit, zv/kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërime do të ndodhë pasi do të formohet shumicë parlamentare, respektivisht kur të formohet shumica për formimin e qeverisë së re.
Deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, seancat do t’i udhëheq kryeparlamentari në largim, Talat Xhaferi, dy zëvendësit e të cilit u zgjodhën në seancën e sotme konstituive, Goran Misoski dhe Florijan Besimi.
Siç parashikohet, pritet që liderit që do të sigurojë shumicë parlamentari do t’i dorëzohet mandati për formimin e qeverisë së re nga presidenti Stevo Pendarovski.
Seanca konstituive apo mbledhja e parë e përbërjes parlamentare pas zgjedhjeve të 15 korrikut, është mbajtur në pajtim me protokollet dhe rekomandimet shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19), me qëllim të uljes së rrezikut nga përhapja e mundshme e virusit.
Deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediave, gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit u është matur temperatura e trupit, ndërkohë në të gjitha hyrjet ishte siguruar mjete higjienike dhe për dezinfektim.
Për të mbajtur distancë fizike mes deputetëve, seanca u mbajt në sallën e madhe të Kuvendit, respektivisht në sallën e njohur në opinion si Kupola e Madhe, ku deputetët ishin në distancë adekuate.
Votimi u mbajt me ngritjen e dorës përmes kartonëve, ndërsa transmetimin e seancës konstituive mysafirët dhe mediumet e ndoqën nga salla plenare “Maqedonia”, ku po ashtu u sigurua distanca fizike mes të pranishme.
Në seancën konstituive, si mysafirë ishin të ftuar presidenti Pendarovski, kryeministri në largim, Oliver Spasovski, ish-presidentë të vendit dhe të Kuvendit, kryetarë të gjykatës kushtetuese, të asaj supreme dhe të Këshillit gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, prokurori publik dhe kryetari i Këshillit për prokurorë publik, Avokati i Popullit, anëtarë të qeverisë dhe guvernatorja e Bankës popullore të Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare dhe të misioneve të huaja diplomatike dhe konsullore në vend.
Kujtojmë se më 25 korrik, KSHZ shpalosi rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti, sipas së cilave koalicioni “Mundemi” (LSDM) fitoi 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 15 mandate, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, E Majta 2 mandate dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) fitoi 1 mandat.
Këto zgjedhje u zhvilluan në kushte të pandemisë, andaj votimi zgjati tre ditë. Më 13 dhe 14 korrik votuan personat e prekur nga COVID-19 dhe ato në vetizolim si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur. Ndërkaq, më 15 korrik votuan të gjithë qytetarët e tjerë.
Eunews.al

