Mbahet ne Tiranë konferenca “Shqipëria, Urë Mundësish” për nxitjen e investimeve italiane
Mundësitë që Shqipëria ofron për biznesin italian do të diskutohen Më 18 dhe 19 shtator 2025 në Tiranë, në konferencën me temë “Shqipëria, Urë Mundësish – Investimet Strategjike për të Ardhmen”.
Në këtë aktivitet do të jetë një delegacion me mbi 50 biznesmenë italianë, të angazhuar në fusha si turizmi, bujqësia, energjia e rinovueshme dhe start-up-et, të cilët do të njihen nga afër me potencialet e tregut shqiptar.
Ministri i Shtetit, Taulant Balla do të jetë pjesëmarrës në panelet e kësaj konference ku pritet të diskutojnë ekspertë dhe drejtues institucionesh që mbulojnë sektorët strategjikë të ekonomisë; Presidenti i IUYA (International Union Young Accountants), Danilo Casucci, Presidentja e ADCAI (Shoqata e Kontabilistëve Shqiptarë në Itali), Eriglena Begaj dhe Zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari.

Konferenca synon të nxisë investime në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Ministri Balla do të diskutojë me përfaqësues të biznesit italian mbi politikat e qeverisë për të krijuar një klimë sa më të favorshme investimesh dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
I organizuar nga “Shoqata e Kontabilistëve Shqiptarë ne Itali” në bashkëpunim me IUYA, Unioni Kontabilistëve të Rinj Ndërkombëtarë, aktiviteti do të mbahet me dyer të mbyllura, duke krijuar një hapësirë të dedikuar për diskutime dhe marrëveshje konkrete mbi investimet italiane në Shqipëri.







