×
Monday, November 29, 2021

Marrëveshje me Britaninë për ekstradimet, Manja: Nuk ka bisedime për kamp refugjatësh

November 18, 2021

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se u miratua marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut për transferimin e personave të dënuar respektivisht nga Shqipëri në drejtim të Britanisë dhe anasjelltas.

Manja u shpreh se kjo marrëveshje në fakt thjeshton procedurat e transferimit të personave të dënuar, eliminon pengesat dhe diferencat që ka ndërmjet dy sistemeve ligjore dhe përfituesit nga kjo marrëveshje në radhë të parë janë autoritetet gjyqësore të të dy vendeve, por dhe personat e dënuar në funksion të qëllimit të dënimit që është rehabilitimi i këtyre personave dhe riintegrimi në shoqëri.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i ka konsideruar spekulime mediatike disa lajmë sot në mediet britanike për transferimin e refugjatëve në Shqipëri.

Manja theksoi se “ka pasur sot spekulime në disa medie britanike sikur kjo marrëveshje në fakt përfshin transferimin e të gjithë personave e refugjatëve që janë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut, sikur Shqipëria do jetë një vend trajtimi të këtyre refugjatëve, por në fakt është një spekulim i pastër mediatik”.

“Kjo është një marrëveshje që ne e kemi nënshkruar me disa shtete të BE-së dhe jemi në procese diskutimesh dhe me shtete të tjera. Lidhet tërësish dhe ka të bëjë me bashkëpunimin juridik në fushën e çështjeve penale dhe nuk ka të bëjë me kthimin e këtyre kategorive dhe hallexhinjve që janë jo vetëm në Angli, por në të gjitha shtetet e Evropës për t’u trajtuar në Shqipëri si kamp refugjatësh. Shqipëria as ka pasur as nuk do të ketë dhe as nuk është në bisedime me asnjë vend të BE për t’u kthyer në një vend për të trajtuar refugjatët e cilitdo vend dhe nuk kanë asnjë problem me drejtësinë ku janë. Pra të jem i qartë, qeveria shqiptare as nuk është në bisedime dhe sa nuk do të ketë asnjëherë bisedime të kësaj natyre për të trajtuar refugjatë, emigrantë ekonomikë dhe azilantë që kanë lënë vendet e tyre për interesa tërësisht ekonomike”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen a ka një kërkesë nga prokurorët e SPAK për mandat të përjetshëm, Manja tha se është e vërtetë.

“Prokurorët e SPAK-ut kanë kërkuar që të mos ketë kufizim të mandatit të tyre prej 9 vitesh siç është e përcaktuar sot në kuadrin rregullator që kemi në Shqipëri”, u shpreh Manja.

“Natyrisht e kemi marrë kërkesën. Jemi në diskutime në nivel teknik lidhur me kërkesën e tyre sepse ky përcaktim në dijeninë time është i përcaktuar në Kushtetutë dhe kushtetuta është akti themeltar i shtetit dhe nëse ne do të ulemi të negociojmë apo bisedojmë me prokurorët e SPAK, patjetër që do të kërkohet ndërhyrje në kushtetutë. Gjithsesi është një çështje që pret dhe ne jemi të hapur për diskutime. Sigurish ata janë prokurorë të SPAK, nesër do të duhet të ushtrojnë funksionet sërish si prokuror dhe që kërkesa e tyre në vlerësimin tim është legjitime për sa kohë gjyqtarët e SPAK apo gjyqtarët e tjerë të sistemit nuk kanë kufizim mandati. Por kjo është një çështje që pret për ta diskutuar”, tha në fund Manja.

Eunews.al

Comments are closed.