Mao: Kina nuk po ushtron asnjë presion për të penguar pjesëmarrjen në konferencën e paqes në Zvicër
Kina ka hedhur poshtë akuzat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ushtrimin e “presionit” ndaj vendeve të tjera për të braktisur konferencën e paqes në Zvicër për Ukrainën e planifikuar këtë muaj, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning.
“Përdorimi i forcës politike nuk është në stilin e diplomacisë kineze dhe qëndrimi i Kinës është i hapur dhe transparent: në asnjë rrethanë nuk duhet të bëjmë presion ndaj vendeve të tjera”, tha ajo.
“Pekini shpreson, sinqerisht se kjo konferencë paqeje nuk do të bëhet një platformë për të krijuar një përplasje midis kampeve”, shtoi Mao.
“Mospjesëmarrja jone nuk do të thotë se nuk e mbështesim paqen”, theksoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi dje Kinën se është përpjekur të minojë konferencën e paqes të planifikuar këtë muaj në Zvicër.
Duke folur gjatë ngjarjes së sigurisë “Shangri-La Dialogue” dje në Singapor, Zelensky tha se Kina, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po punonte për të siguruar që vendet të mos merrnin pjesë në samitin e paqes.







