×
Friday, December 3, 2021

Manja: Gjobëvënësit me maskën e shtetit do të përballen me drejtësinë

November 9, 2021

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka bërë sot publik një prej rasteve të abuzimit me detyrën nga zyrtarë të shtetit, denoncuar nga qytetarët, zbardhur, faktuar dhe përcjellë në Prokurori nga Drejtoria Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë.

Në një konferencë për mediet, Manja tha se është një rast ku qytetari nuk është nënshtruar nga presioni i “taxhimymerëve” të AKU-së së Fierit, por i ka denoncuar pranë Drejtorisë së Antikorrupsionit.

“Rasti i sotëm, që po e përcjell para jush, është një nga 5 rastet e para, të cilin e kam zgjedhur dhe e kam ndarë nga të tjerët, sepse lidhet me një qytetar që nuk ka heshtur, nuk ka pranuar të japë ryshfet, nuk i është nënshtruar ‘Taxhim Ymerit’ që i kërkonte ‘bekajet’, dhe që meriton gjithë mirënjohjen dhe falenderimin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Edi Rama. Është shembulli që duhet ndjekur nga të gjithë qytetarët dhe bizneset. Të mos heshtin përpara ‘taxhim ymerëve’ që u dërgojnë edhe fjalë: Nesër do kaloj andej, bëje gati atë plaçkën”, tha ministri.

Manja shtoi se “ne na takon ta provojmë me forcën e shembullit tonë dhe fakteve se qytetarët jo vetëm që nuk duhet të kenë frikë t’i denoncojnë ‘taxhimët’ strukur qosheve e zyrave të shtetit, por duhet ta bëjnë këtë të bindur se na kanë në krahë deri në fund. Mos heshtni! Sepse heshtja është mbështetje për këta, ndërkohë që fjala është rreshtim kundër tyre. Fjalët e thëna, ankesat e bëra, qarjet dhe sharjet mbasi ke paguar ryshfetin janë legjitime nga pikpamja humane, por nuk janë të denja nga pikëpamja qytetare, nuk janë të denja nga pikëpamja demokratike dhe as nga pikëpamja prindërore, sepse kemi përgjegjëgjësi edhe për vendin që po u trashëgojmë fëmijëve tanë, dhe nëse zgjatet zinxhiri i heshtjes, zgjatet edhe litari, që sot është në këmbët e prindërve, nesër do të jetë në këmbët e fëmijëve”.

Duke u ndalur konkretisht te rasti, ministri theksoi se “qytetari është vendosur nën presion nga disa inspektorë të AKU-së në Fier, por nuk ka rënë pre e presionit, nuk ka pranuar të paguajë”.

“Qytetari u është kundërpërgjigjur ‘taxhimëve’ të AKU-së që e kanë gjobitur me vulën e instituicionit shtetëror, duke lajmëruar Njësinë Antikorrupsion dhe menjëherë ne jemi vënë në dispozicion dhe sot gjobëvënësit me maskën e shtetit, por që nuk përfaqësojnë shtetin dhe shtetarin, nuk përfaqësojnë aspak qeverinë e Shqipërisë, nuk përfaqësojnë këtë shumicë qeverisëse dhe besimin e dhënë tri herë me radhë nga qytetarët, do t’u duhet të përballen me drejtësinë.

Dhe nuk do ta kenë të lehtë. Nuk mbaron me kaq. Do të vendos në kallëzim edhe drejtuesin e tyre, si person në dijeni të paktën, sepse drejtuesit e këtyre agjencive dhe këtyre institucioneve nuk mund të bëjnë të paditurin për veprimet e këtyre inspektorëve. Nuk po akuzoj këtu drejtuesin, sepse drejtuesit jo domosdoshmërisht janë pjesë e këtyre gjobave të dhunshme, por sepse drejtuesit duhet ta dinë në kohë reale veprimtarinë e këtyre inspektorëve në terren dhe duhet të marin informacion të argumentuar për çdo gjobë që vihet, për proporcionalitetin e tyre në raport me aktivitetin tregtar që ushtrohet dhe shkeljen e bërë. Mua nuk më rezulton që në rastin konkret, në këtë institucion të ketë një praktikë argumentimi të gjobave që u vihen njerëzve. Ne disponojmë prova bindëse dhe gjithë arsyetimin profesional se këto inspektorë duhet të përgjigjen para ligjit, domethënë përpara prokurorisë”, tha ministri.

Sipas tij, pa qytetarin kjo nuk do të ishte e mundur.

“Për të respektuar procedurën hetimore dhe për të mos paragjykuar hetimin e mëtejshëm të rastit në fjalë po mjaftohem me faktin se ngjarja ka ndodhur në datat 14 dhe 15.09.2021 në Fier, është e shoqëruar dhe me pamje filmike dhe inspektorët e kallëzuar janë me emër dhe mbiemër. Uroj që prokuroria të vihet menjëherë në lëvizje për t’i treguar atij qytetari se zëri i tij respektohet dhe është i pa iskutueshëm në prani të provave”, nënvizoi Manja.

“Kam një thirrje shumë të sinqertë për të gjithë qytetarët: Mos u nënshtroni, na vini në provë, na sfidoni me zërin tuaj, dhe nëse ne nuk do ju përgjigjemi atëherë patjetër që ju keni të drejtë të riktheheni te ankesat, te kritikat, tek qarjet, tek mallkimet, pasi jua kanë marrë lekët. Jua bëj këtë thirrje qytetarëve që ankohen për mjekët, për hipotekën, për legalizimet, për pyjet, për mjedisin, për faturat, për policinë dhe për çdo lloj inspektori në këtë territor”, apeloi ministri.

Ai shtoi se “kjo është një betejë që ne mund ta fitojmë, por ne nuk e fitojmë dot pa qytetarët. Duhet të jemi bashkë, sepse halli i njërit prej jush sot, nesër bëhet edhe halli i tjetrit, tjetrit e kështu me radhë. Dhe këto shushunja, këta ‘taxhimymerë’ që kërkojnë bekajete, fryhen me vulën e shtetit e me punën, djersën e gjakun tuaj. Së bashku i ndalim”.

Manja u solli në vëmendje qytetarëve se “në platformën e bashkëqeverisjes shqipëria.al, keni mundësinë që me një klik të njoftojnë dhe ne e ruajmë deri në fund identitetin tuaj”.

“Dhe kjo është dhe arsyeja që unë me gjithë dëshirën e madhe për ta falënderuar me emër dhe mbiemër atë qytetar nuk e bëj dot, por do ta falënderoj sot që dosja është gati dhe që po e dërgoj në prokurori dhe nëse ai do ma lejojë me shumë kënaqësi do ta bëj një foto me të ditën që drejtësia do të thotë fjalën e saj për këtë rast. Ky proces do të vazhdojë deri në fund të mandatit të tretë dhe do të jetë një proces kapilar, profesional, me integritet të plotë dhe me tolerancë zero ndaj kujtdo që do na dalë përpara”, përfundoi ministri Manja.

Eunews.al

Comments are closed.