×
Friday, October 22, 2021

Manastirliu nga Durrësi: Të intensifikojmë vaksinimin anti Covid-19

October 12, 2021

Në vijim të intensifikimit të fushatës së vaksinimit “derë më derë”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e shoqeruar nga Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Aurora Hyka pasditen e sotme ka takuar kryetaren e bashkisë së Durrësit dhe drejtuesit e njësive administrative të kësaj bashkie.

Në fjalën e saj para drejtuesve vendorë, Manastirliu tha se duhet të intensifikohet fushata “derë më derë” që qytetarët të sqarohen dhe të binden për t’u vaksinuar.

“Unë e di që përgjatë gjithë kësaj kohe qytetarët përballen edhe me hezitim, përballen me ata të ashtuquajturit “ekspertë” të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme hedhin tym mbi vaksinat, për vaksinat që përdoren, mbi proceset e vaksinimit, mbi çfarë mund të sjellin vaksinat që e kanë tërësisht të pabazuar. Ndërkohë që patjetër që ajo çfarë duhet bërë në terren është intensifikimi i përgjigjes ndaj dyshimit të shkaktuar nga këto me gjoja “ekspertë” e “gjithollogë” që dalin në mënyrë të papërgjegjshme dhe helmojnë mendjen e qytetarëve”, tha Manastirliu.

Duke theksuar që të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në terren, Manastirliu tha se duhet që të angazhohen të gjithë, në të gjitha nivelet, për të kryer vaksinimin e popullatës si e vetmja armë e gjithëpranuar që garanton shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Cila është arma që kemi ne sot? Është vaksina. Është arma e mirënjohur, e gjithëpranuar në të gjithë vendet e botës e cila garanton ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit dhe garanton shëndetin dhe jetën e qytetarëve. A jemi aty ku duhet? Jo, nuk jemi aty ku duhet. Sepse në fakt për të qenë aty ku duhet, duhet që të angazhohemi të gjithë, qoftë si qytetarë, qoftë si persona të angazhuar në detyra publike dhe deri në nivelet e larta të drejtimit, siç janë të gjitha strukturat e shtetit, patjetër dhe bashkitë”, tha Manastirliu.

Emiriana Sako, kryetarja e bashkisë Durrës, në fjalën e saj tha se është shumë e rëndësishme të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë në këtë proces kaq sfidues, duke informuar qytetarët dhe duke i ftuar të shkojnë drejt qendrave të vaksinimit.

“Kemi nisur një fushatë të re në mbështetje, për sa i takon procesit të vaksinimit dhe për atë që përfaqësojmë si qyteti i dytë i Shqipërisë, është shumë e rëndësishme që të mbështesim Ministrinë e Shëndetësisë në këtë proces kaq sfidues dhe kaq e kaq të vështirë, edhe të luajmë rolin tonë në informimin e qytetarëve, në njësi administrative duke i ftuar të shkojnë drejt qendrave të vaksinimit”, tha Sako.

Ministrja Manastirliu ka nisur një seri takimesh me drejtuesit vendorë për të nxitur vaksinimin derë më derë, në atë që e ka quajtur “Aksion Kombëtar në Mbrojtje të Jetës”.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,803,799 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 834,469 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antikovid.

Eunews.al

Comments are closed.