Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka hedhur poshtë si “të pabazuara dhe të paargumentuara” pretendimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, të cilat u bënë pas deklarimit të gatishmërisë së Malit të Zi për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
“Përpjekjet për të paraqitur qëndrimet tona politike si kërcënim ndaj interesave të Serbisë janë plotësisht të pabazuara”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se është shqetësuese përpjekja për ta paraqitur këtë mbështetje si “veprim antiserb”, gjë që nuk ndodh kur mesazhe të ngjashme vijnë nga shtete të tjera.
Ky reagim vjen pas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila shprehu shqetësim lidhur me qëndrimet e Malit të Zi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe për lobimin aktiv për anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare.
Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi gjatë një interviste në RTV Mali i Zi se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Mali i Zi do të japë mbështetje të qartë kur të ngrihet çështja nëse Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian apo e Këshillit të Evropës”, deklaroi Ibrahimoviq.
Edhe pse disa nga partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Ibrahimoviq u shpreh që beson se ky qëndrim nuk do ta rrezikojë koalicionin, duke pasur parasysh se Mali i Zi ka prioritete të qarta në politikën e jashtme.
Një nga këto prioritete janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, tha Ibrahimoviq.


