×
Saturday, January 17, 2026

Macron: Uniteti franko-gjerman në një moment vendimtar për Evropën

May 27, 2024


Presidenti francez Emmanuel Macron përshëndeti dje partneritetin e krijuar prej kohësh të vendit të tij me Gjermaninë, gjatë fillimit të një vizite shtetërore treditore, plot shkëlqim, që synonte të demonstronte fuqinë e lidhjeve me Berlinin.

Vizita shtetërore e Macron në Gjermani, e para e një presidenti francez në 24 vjet, vjen pasi dy fuqitë kryesore evropiane janë përballur me një sërë dilemash, nga lufta që po shpërthen në pragun e BE-së në Ukrainë, deri tek rritja e partive të ekstremit të djathtë në vend dhe një mandat i dytë i mundshëm për Donald Trump në Uashington.

Macron tha se ”Evropa ishte në një moment vendimtar”, duke përmendur agresionin ushtarak të Rusisë së bashku me sfidat në lidhje me ndryshimet klimatike dhe inteligjencën artificiale.

”Për të adresuar këto çështje nevojitet një shtytje franko-gjermane”, theksoi Macron.

Në një konferencë për shtyp së bashku me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier në Pallatin Bellevue të Berlinit, Macron tha se marrëdhënia midis Gjermanisë dhe Francës ishte si një “çift i gjallë, kërkues dhe ambicioz”.

Më herët, pasi Macron mbërriti në Berlin, ai ishte takuar me Steinmeier në një “Festival të Demokracisë” që shënonte 75-vjetorin e Ligjit Bazë të Gjermanisë – kushtetuta demokratike e miratuar në Gjermaninë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

Steinmeier përshëndeti Macron dhe e quajti vizitën e tij “provë e thellësisë së miqësisë franko-gjermane”.

Ai tha se pavarësisht se ndonjëherë kanë dallime në pikat individuale të politikës, Berlini dhe Parisi gjithmonë “mbërrijnë në një marrëveshje në fund”.

Macron hodhi poshtë sugjerimin se marrëdhënia, e përshkruar shpesh si motori i politikëbërjes evropiane, po dobësohej.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne po ecim përpara” tha ai.

“Marrëdhëniet franko-gjermane janë të domosdoshme dhe të rëndësishme për Evropën,” theksoi Macron.

Pas festivalit, Macron udhëtoi për në rezidencën e afërt zyrtare të Steinmeier, Pallatin Bellevue, ku u prit me nderime ushtarake dhe himnin kombëtar francez.

Më vonë ai mori pjesë në një banket shtetëror me një mori politikanësh të lartë, duke përfshirë kancelarin Olaf Scholz.

Vizita e së dielës vjen përpara zgjedhjeve evropiane për të vendosur Parlamentin e ardhshëm Evropian.

Partitë e ekstremit të djathtë të BE-së kanë parë një rritje të mbështetjes vitet e fundit – duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë – dhe pritet të dalin mirë në zgjedhjet e 6-9 qershorit.

Marrëdhënia midis Parisit dhe Berlinit është parë prej kohësh si një forcë lëvizëse për Evropën, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.

Por, fërkimet filluan të shfaqen në vitin 2022, pasi Angela Merkel u largua nga skena politike gjermane, megjithëse Macron dhe Scholz së fundmi kanë bërë përpjekje për të përmirësuar bashkëpunimin.

Është gjetur marrëveshje për disa çështje, duke përfshirë reformën e rregullave të borxhit dhe deficitit të BE-së, por pika të tjera mosmarrëveshjeje mbeten, veçanërisht në masën e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe përgjigjet e politikës ekonomike të BE-së ndaj masave proteksioniste nga Kina dhe SHBA.

Këto çështje të mprehta dhe të tjera do të diskutohen nesër në një takim të ministrave francezë dhe gjermanë.

Macron dhe Brigitte do të udhëtojnë sot në Dresden.

Atje ai do të mbajë një fjalim mbi politikën evropiane para Frauenkirche – një kishë monumentale me kupolë që është simbol i pajtimit të pasluftës.

Macron erdhi në pushtet në Francë shtatë vjet më parë dhe nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2027.

Vizita zyrtare shtetërore është e para e një presidenti francez në Gjermani që nga viti 2000, megjithëse liderët nga të dy vendet takohen dhe vizitojnë rregullisht në mënyra më pak formale.

Macron kishte planifikuar të bënte vizitën shtetërore korrikun e kaluar. Megjithatë, udhëtimi u shty për shkak të trazirave mbarëkombëtare në Francë pas të shtënave vdekjeprurëse nga policia ndaj një 17-vjeçari që tronditi kombin.




Comments are closed.