×
Saturday, February 4, 2023

Macron në Nju Orlins për të shtuar lidhjet me SHBA

December 3, 2022


Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti të premten në Luiziana, shteti amerikan i lidhur historikisht me vendin e tij, për të festuar lidhjet e tyre të vjetra kulturore dhe gjithashtu për të diskutuar politikën e energjisë dhe ndryshimet klimatike.

Presidenti Macron u takua me zyrtarë politikë dhe shëtiti me zonjën e parë Brigitte Macron nëpër lagjen historike franceze të Nju Orlinsit, në zemër të qytetit, duke ndaluar për të folur dhe për të shtrënguar duart me kalimtarët. Ai ndaloi pranë një grupi muzikor tnë rrugë dhe tundi kokën dhe duartrokiti teksa ata luanin “When the Saints Go Marching In”.

Kjo është vizita e para nga një president francez atje që kur Valery Giscard d’Estaing udhëtoi në Lafajet dhe Nju Orlins në vitin 1976. I vetmi president tjetër francez që vizitoi Luizianën ishte Charles de Gaulle në vitin 1960.

Itinerari i zotit Macron filloi në sheshin Jackson. Kryebashkiakja e qytetit, LaToya Cantrell e çoi atë në Koleksionin Historik të Nju Orlins ku zoti Macron diskutoi ndikimet e ndryshimeve klimatike me guvernatorin John Bel Edwards. Presidenti francez u takua edhe me përfaqësues të kompanive energjetike.

Zoti Macron i tha guvernatorit Edwards se ishte i ekzaltuar nga pritja në qytet.

“Mendoj se kjo evidenton një marrëdhënie të veçantë që kemi me Francën. Është historike dhe kulturore”, tha guvernatori Edwards.

Edwards, një demokrat, është shprehur hapur për rreziqet e ndryshimeve klimatike në një shtet ku dhjetëra mijëra vende pune janë të lidhura me industrinë e naftës dhe gazit. Kjo e bën ndalimin në Nju Orlins “shumë emblematik” të përpjekjet e lidhura me klimën, thanë zyrtarët francezë.

“Kjo vizitë shtetërore na mundëson të vendosim Francën, dhe me Francën Evropën, në qendër të axhendës amerikane. Kjo është një gjë e mirë,” u tha zoti Macron gazetarëve në frëngjisht.

Gjatë një takimi të shkurtër, guvernatori dhe Macron nënshkruan një memorandum mirëkuptimi “për të zgjeruar dhe përmirësuar më tej lidhjet e forta kulturore midis Francës dhe Luizianës në fushat e ekonomisë, energjisë së pastër dhe mjedisit”, tha zyra e guvernatorit Edwards.

“Ashtu si unë, Presidenti Macron beson se ndryshimi i klimës është real,” tha zoti Edwards.

Gjatë vizitës së presidentit Macron në Uashington të enjten, ai dhe presidenti Joe Biden lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “shqetësimin e tyre të thellë në lidhje me ndikimin në rritje të ndryshimit të klimës”.

Luiziana është emëruar për nder të Luigjit të XIV, Mbreti i famshëm të Diellit që sundoi Francën për 72 vjet duke filluar nga viti 1643. Nju Orlins është vendi ku u finalizua Blerja e Luizianës. Marrëveshja transferoi Territorin e Luizianës, që përfshinte pjesën më të madhe të asaj që sot janë pjesa qëndrore e Shteteve të Bashkuara, nga Franca tek SHBA-të në vitin 1803./VOA

Eunews.al



Comments are closed.