×
Tuesday, November 12, 2024

Macron kërkon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, beson në ndërmjetësimin e BE-së

June 10, 2020


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojë gjatë një samiti të ardhshëm në Paris.

Macron, në një telegram urimi dërguar kryeministrit të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë, shprehu besimin se Hoti do t’i marrë masat e nevojshme për të bërë të mundur rifillimin e dialogut dhe tha se Serbia gjithashtu do të duhet të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve.

“Sapo të rifillojë dialogu, i takon ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian të mbështesë përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje. Roli i BE-së duhet të mbetet qendror, sepse kjo mosmarrëveshje është sfidë e sigurisë evropiane”, tha Macron.

Ai theksoi se ka besim në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe në përfaqësuesin e ri special të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për të udhëhequr ndërmjetësimin e dialogut.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhereshme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Muajin e kaluar, ministrat e Jashtëm të Francës dhe Gjermanisë kanë kërkuar rifillimin e dialogut, duke thënë në një artikull të përbashkët se “çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy shteteve vazhdojnë të mbeten faktor destabilizues në tërë Ballkanin Perëndimor”.

Të dërguar të posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi tani kanë edhe Shtetet e Bashkuara: diplomatin Richard Grenell.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur që SHBA-ja të ketë rol udhëheqës në dialog dhe në një rast ka thënë se nuk do të bisedojë me Lajçakun.

Ky i fundit, javën e ardhshme, viziton Kosovën.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments