×
Thursday, January 15, 2026

Macron: Do të vendosen tarifa nëse Kina nuk ndryshon politikën tregtare

December 7, 2025


Presidenti francez Emmanuel Macron ka ngritur mundësinë e kundërmasave ndaj Kinës nëse ajo nuk ndryshon politikën e saj tregtare, në një intervistë për të përditshmenn franceze të biznesit “Les Echos” pas një vizite treditore në Pekin.

“Po përpiqem t’u shpjegoj kinezëve se suficiti i tyre tregtar nuk është i qëndrueshëm pasi ata janë në procesin e “shkatërrimit” të klientëve të tyre, veçanërisht duke mos importuar më shumë nga ne,” tha Macron.

“Ne rast se Kina nuk përgjigjet, ne evropianët do të detyrohemi në muajt e ardhshëm të marrim masa të forta dhe të zvogëlojmë bashkëpunimin, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes tarifave për produktet kineze”, tha ai.

Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare e Francës në Azi, megjithatë ekonomia franceze ka një deficit tregtar me Kinën, me importe që tejkalojnë eksportet.

Në vitin 2024, deficiti arriti më shumë se 46 miliardë euro.

Për BE-në në tërësi, deficiti tregtar tejkalon 300 miliardë euro. Kërkesa e dobët kineze është një problem për kompanitë gjermane, franceze dhe të tjera të BE-së, ndërsa Republika Popullore po shet gjithnjë e më shumë produkte në BE – si pasojë e mosmarrëveshjes së saj tregtare me SHBA-në.

“Kina po godet në zemër të modelit industrial dhe inovativ të Evropës”, tha Macron.

Proteksionizmi amerikan po e përkeqëson situatën pasi flukset e mallrave kineze po devijohen masivisht në tregun evropian.

“Evropa është e zënë në mes, me mbijetesën e industrisë së saj në rrezik. Ne jemi bërë tregu i përshtatjes dhe ky është skenari më i keq”, theksoi ai.

Macron i bëri thirrje Kinës të konsumojë më shumë dhe të hapë tregun e saj të brendshëm.

“Kompanitë kineze gjithashtu duhet të investojnë në Evropë, siç ka bërë grupi i energjisë EDF dhe prodhuesi i avionëve “Airbus” 25 vjet më parë, dhe të ndërtojnë tregje shitjesh në kontinent”, tha presidenti francez.

“Ne e pranojmë se ata janë shumë të mirë në fusha të caktuara, por nuk mund të importojmë përgjithmonë”, tha Macron.

Sipas “Les Echos”, Macron iu referua sektorit të baterive, makinave elektrike dhe përpunimit të litiumit.

Në të njëjtën kohë, ai tha se Evropa duhej të rriste konkurrueshmërinë e saj dhe të investonte në inovacion.

Macron u bëri thirrje të dyja palëve të ndalonin politikat agresive, siç janë kufizimet e eksportit.




Comments are closed.