×
Sunday, October 24, 2021

Lulzim Basha, si ministër i Marrëdhënieve me Opozitën, në qeverinë “Rama 3”

September 3, 2021

Mund të duket e pabesueshme, teori konspirative, por javët e fundit, qartazi është dukur se në krye të Partisë Demokratike, të Opozitës, në vend të një lideri politik që lufton kundër Qeverisë, kemi një njeri që mezi priste të merrte postin e tij. Pra, rolin që do të mbante në mërrëdhënie me Qeverinë “Rama 3”.

Basha këtë na e tha dje, menjëherë pas Asamblesë së PS-së, por na e tha edhe dy ditë më parë, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku u zgjodh Kryesia e re e PD-së dhe anëtarët e saj.

Duket qartazi. Dy krahasime që nuk kanë nevojë për shumë dyshime. Por, janë fakte.

Dje Rama në një fjalim të gjatë, sulmoi qeverinë e tij, akuzoi drejtorët e tij dhe pasi iu dha shumë “shuplaka”, vendosi të mbante më shumë se 60% të qeverisë, të ndryshonte disa ministra, kryesisht femra. Të vendoste një rekord botëror, duke pasur qeverinë me më shumë zonja në botë dhe të ecte përpara.

E ndërkohë që pritej reagimi i Lulzim Bashës, ai ishte sikur Lulit ti ishte lexuar emri për ministër.

Basha nuk thoshte asnjë fjalë për kabinetin e tij qeverisës. Asnjë fjalë për ministrat e rinj, asnjë fjalë për sekretariatin e ri që kishte ndërtuar Rama në PS, duke e emëruar të gjithin, ku përfshihen shumë personazhe, të cilët kanë qënë pjesë e dosjeve pretenduese të Partisë Demokratike në këto tetë vite dhe të Lulzim Bashës.

Por, ky i fundit reagoi si të ishte një ministër i Edi Ramës. Ai tha vetëm disa fjali në një postim në rrjetet sociale, duke përdorur thjeshtë dhe vetëm raportin e OSBE-ODIHR-it, për shkeljet në zgjedhje.

Por, historia e shkeljes në zgjedhje, tashmë ka kaluar. Edi Rama është në qeveri, është në pushtet.

Parlamenti mblidhet javën tjetër. KQZ-ja ka shpallur rezultatet. Pretendime të tilla në raporte do të ketë gjithmonë. Edi Rama i shtriu dorën, Lulzim Basha hodhi “shaminë” e tij kur mblodhi Këshillin Kombëtar, ku ndryshoi drejtimin nga një “masakër zgjedhore”, na tha publikisht që ishte i gatshëm të bënte Reformën Administrative, Kushtetuese, dhe atë Zgjedhore, me qeverinë.

Pra, të bashkëqeveriste me Edi Ramën në parlament, nëpërmjet reformave.

Këtë tha edhe Edi Rama dje dhe këtë bëri edhe Lulzim Basha me reagimin e tij.

Qartazi bashkëpunimi duket në dy aspekte. Tek fjalimi i Edi Ramës, tek qëndrimi i tij dhe tek reagimi i Lulzim Bashës dje.

Por, edhe qëndrimi i mbajtur të hënën nga vetë Lulzim Basha dhe heshtja e Partisë Socialiste, duke iu përgjigjur ngadalë dhe pa nxitim.

Dje qartazi Rama tregoi dorën e tij të shtrirë. Nuk ka një bashkëqeverisje me ministra në qeveri. Por, ka një në krye të Opozitës, një “ministër” të Edi Ramës për marrëdhëniet me të, dhe ngushtësisht bashkëpunim në parlament, për Reformën Zgjedhore, si justifikim për humbjen katastrofike të Lulzim Bashës, që ai të sigurojë karrigen e kryetarit të PD-së dhe nga ana tjetër, një Reformë Administrative që mund t’i japë disa bashki më shumë sërish Lulzim Bashës. Dhe në fund ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, të cilat do të duan dakortësinë e të gjithëve.

Palët po ecin përpara. Qeveria “Rama 3” u formua. Tashmë ka ministër për Marrëdhëniet me Opozitën, Lulzim Bashën. Marrëdhënia duket se do jetë e shëndetshme. Do të kemi një opozitë me një gjuhë më të butë, më të dashur.

Një opozitë që do të tentojë të marrë maksimumin nga ajo që pritet të bëjnë në parlament. Por, do ti duhet nja gjashtë muaj, ndoshta dhe një vit që të fillojë të sulmojë ministrat apo kabinetin e Ramës, pasi do ta ketë shumë të vështirë, sepse pjesë e këtij kabineti është dhe vetë Lulzim Basha.

Eunews.al

Comments are closed.