×
Sunday, September 19, 2021

Lulzim Basha nuk e bën dot PD-në!

August 22, 2021

Nga Agim Popoci

Luli nuk merr dot asnjë vendim pa pyet Doktorin! Lindi si legjendë urbane nga mitra e Edi Ramës, por kjo “foshnje” e prodhuar në laboratorin e propagandës së Partisë Socialiste është e keqja më e vogël që do ti ndodhë Partisë Demokratike me ardhjen e Lulzim Bashës në krye të PD!

Nga viti 2013, Partia Demokratike jo që nuk u ngrit me duart e Lulzim Bashës, por mbrëmë u pa që kontrollohet edhe nga një prodhues ordiner i birrës, i cili e detyron që ta vejë PD-në përballë gjysmës së kombit, vetëm e vetëm për ta për të kënduar Goran Bregoviçi aty ku shqiptarët këndojnë serenata korçare; Gjysma e kombit, të cilin kufi e përcaktoi Edi Rama duke vendos traun dhe duke i besuar administrimin Qetit, njeriut të cilit do ti besoj përveç Rrugës së Kombit edhe ajrin kombëtar shqiptar e shumë facilitete tjera përmes të cilave përçahen shqiptarët!

I dërguari i Lulzim Bashës në festën e birrës Korça është vetëm pika që derdhi gotën e mbushur për plotë me paaftësi, keqmenaxhim, dështim dhe tradhti të Partisë Demokratike nga dora vetë Lulzim Basha; Gotë të cilën e lanë të mbushet edhe ata që nuk besuan se çadra u shit dhe se ishte një ogur i zi, ku e gjitha do të përfundoj në pikën zero të PD-së. Pikë të cilën duhet pranuar se nuk ka njeri mbi këtë tokë që e ka imagjinuar se mund ta kontrolloj edhe Irfani!

Të gjithë optimistët ose dashamirësit e Partisë Demokratike menduan më 2017 se ndarja territoriale kriminale e Edi Ramës edhe mund të harrohet dhe nuk është zgjidhje e keqe për mbylljen e çadrës, bashkëqeverisje me të cilën do të organizoheshin edhe zgjedhjet! E vetë Lulzim Basha që kishte arritur kulmin e tij politik pikërisht në këtë çadër, kur u formësua dhe u shit si lider i opozitës duke krijuar besim ndër demokratë, papritmas arriti një Marrëveshje me shkaktarin e të gjitha të zezave që i kishin ndodhë Shqipërisë dh kombit shqiptar, Edi Rama.

Dinte gjë ose jo Doktori për këtë Marrëveshje pak rëndësi ka meqë degradimi i ndikimit tek Kryetari i PD kaloi në një fazë shumë më delikate se sa ndikimi nga lideri historik, pasi legjenda urbane “Kunati” filloi të jetësohet me listën për deputetë. Sërish optimistët dhe dashamirësit e pa kompromis të PD-së ishin ata që amortizuan dhimbjen dhe pakënaqësinë që krijoj “lista fituese” me mbylljen e çadrës, ku shumë themelues të partisë u lanë jashtë saj e  shumica e atyre që ishin në listë për deputetët e kishin për nderë që kishin mik Kunatin!

Gjithçka që do të ndodhë pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017 edhe pse pakënaqësia popullore ndaj qeverisë kishte arritur kulmin, do të shërbej për shkatërrimin e Partisë Demokratike duke e degdisur në gjendjen që është sot: Pa njeri dhe pa zot shtëpie!

Menaxhimi i humbjes së 25 Prillit 2021 tregoi se humbja e vitit 2017 nuk ishte rastësore ashtu si dhe rizgjedhja e Lulzim Bashës për Kryetar të PD.

Protestat anemike në Tiranë ku mblidheshin demokratë të karikuar nga e gjithë Shqipëria për rrëzimin e Edi Ramës për t’iu thënë mbas 120 minutave natën e mirë nga Lulzim Basha, e rezultonin me natë ferri në birucat e Saimir Tahirit dhe Sandër Lleshajt, plasën nga qelbi para Traut të Qetit!

Revolta e qytetarëve të Kukësit, Hasit, Tropojës e Dibrës pasi u penalizuan nga politika antikosovare e Edi Ramës vetëm pse ishin në veri, fillimisht u mbështetë nga Partia Demokratike jo vetëm pse ndante kombin për gjysmë por ishte dhe vepra më madhore e shekullit që ishte ndërtuar nga qeveria demokratike. Pas protestës së parë që tronditi seriozisht Qeverinë në Tiranë dhe sensibilizoi edhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës u thirr dhe një protestë mbarëkombëtare. Por, kjo protestë kombëtare shqiptar për ti thonë jo Edi Ramës dhe traut në Rrugën e Kombit, papritmas mbeti pa mbështetjen e Partisë Demokratike. Madje, u bojkotua edhe nga demokratët kuksianë që kishin urdhër nga kryetari Lulzim Basha që të mos marrin pjesë në këtë protestë.

I fituar patjetër që doli Edi Rama me Qet Kastratin ndërsa meritat më të mëdha për dështimin e kësaj proteste nuk i kishte as Qeti dhe as Kunati që u përfolën për aleancën e tyre financiare, por vetë Lulzim Basha që vazhdonte ta mbante gurin dhe arrën në Partinë Demokratike.

Mospërfillja e kuksianëve që u arrestuan në protestën e parë te trau dhe përfunduan në birucat e regjimit socialist, si dhe heshtja që pllakosi Partinë Demokratike me në krye Lulzim Bashën i dhanë të drejtë Edi Ramës që terrorin ta zbres poshtë traut, pse jo në Tiranë.

U sajua një mbështetje për pronarët e shtëpive në Unazën e Madhe, që regjimi i Edi Ramës po u shembte shtëpitë për shkak të projektit Unaza e Re. U ngrit kjo çështje dhe në kauzë madhore të Partisë Demokratike duke u angazhuar deputetë të shumtë nga vetë Lulzim Basha, që të kryesojnë këtë protestë të pakuptimtë ku shumica e pronarëve të shtëpive ishin elektorat i Partisë Socialiste, dhe u vulos si e tillë vetëm kur doli lista e deputetëve për zgjedhjet e vitit 2021 ndërsa mungonte lideri i këtyre protestave dhe personi më i persekutuar nga policia e Edi Ramës, Klevis Balliu.

E njëjta gjë ndodhi dhe me Teatrin Kombëtar! Shumë energji e konsumuar, shumë demokratë të arrestuar në mbrojtje të Teatrit, por sikur se shtëpitë te Unaza e Re ashtu dhe Teatri Kombëtar nuk u shemb mbi trupa dekmokratësh siç u premtua nga Lulzim Basha. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit me ca shpirta arti e kulture mbeti e vetmuar. Sërish nuk munguan dashamirësit demokratë që vazhduan të besojnë në ëndrrat që pëlqejnë duke promovuar pa dashje dhe mashtrimin e radhës së Lulzim Bashës, se Teatri do të ndërtohet ashtu siç ishte, me ardhjen e tij në pushtet!

Dhe, ndërkohë që të gjitha këto po ndodhnin para hundëve të demokratëve dhe ata po karikoheshin se me LSI-në dhe Ilir Metën do ta rrëzojnë Edi Ramën, ky i fundit nuk e ndalonte terrorin për të cilën tashmë ishte e qartë se kishte dhe leje.

Flluska që ngriti Lulzim Basha me projektin e konservatorëve britanik,  Komisioni për Vlerësimin e kandidatëve për deputetë nxiti mendimin ndryshe ndër demokratë të cilët pas tetë vjet qëndrimi në opozitë filluan të mendojnë se edhe mund të fitojnë zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Për këtë u angazhua një makineri e fuqishmë propagandistike ku nuk mungoi edhe dora e Edi Ramës për ta krijuar idenë e liderit të fortë opozitar. Ky mision i pamundur për ta ngritur në piadestal liderin demokrat të cilit nuk iu bindën as deputetët për të dorëzuar mandatet, zbuloi pa dashje se kush është i zoti i listës së deputetëve kur nuk është Sali Berisha, ose më saktë, nuk ishte Lulzim Basha!

Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve i shërbeu Lulzim Bashës për të larguar ata që i pengonin në dështimin e tij të radhës ndërsa me publikimin e listës së deputetëve ngeli vetëm një dilemë: Pse Lulzim Basha e do humbjen edhe në vitin 2021?!

Kështu dhe ndodhi, Lulzim Basha nuk ngjalli shpresë ose më saktë nuk deshi të ngjallte shpresë! Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 25 Prillit, u hodhën lum akuzash mbi Edi Ramën dhe SHBA që i pranoi zgjedhjet, dhe sërish Lulzim Basha u zgjodh Kryetari i PD!

Për dallim nga kalkulatori i Lulzim Bashës në vitin 2017, ky i vitit 2021 çaloi në “ringritjen” e partisë. Meqë pakënaqësia tashmë ishte shumë më e madhe ndër demokratë se sa në vitin 2017, shumë prej tyre i kushtuan vëmendje më të madhe zgjedhjeve të reja brenda partisë.

Jo pse nuk ishte Gjergji por Jemini në krye të Komisionit të Zgjedhjeve në PD, por shpallja e rezultateve për Këshillin e ri Kombëtar dëshmoi se Lulzim Basha nuk i do zgjedhjet e lira dhe të ndershme po aq sa “rivali” Edi Rama. Çdo demokrat duke e pas të qartë se për shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve për Këshilli Kombëtar nuk mjaftonte as koha fizike, ata filluan të mendojnë për fitoret e Lulzim Bashës me rastin e rizgjedhjes në vitin 2017 dhe 2021! Reflektuan edhe mbi fitoren e Kryetarit të Forumit Rinor kur larguan Greta Koçin, zgjedhjen e Arben Ristanit Sekretar i Përgjithshëm, atë të Gazment Bardhit, dhe shumë zyrtarëve të tjerë që shkatërruan këtë parti, aty ku erdhën me manipulim ordiner.

Në mungesë të një drite në fund të tunelit, përveç se munguan protestat kundër Edi Ramës, për çudi, të pakënaqurit me Lulzim Bashën në PD, nuk morën guximin ta nxjerrin zvarrë nga Zyra por filluan të ikin vetë! Pse?! Një Zot e di!

Madje nuk pyeti njeri pse Lulzim Basha nuk e mbron simbolin e Partisë Demokratike, Qytetin Studenti, kur Edi Rama po i jep shqelmin e fundit të historisë duke e përzgjedhur si vendstrehim për afganët; Dhe, nuk pyeti njeri as për heshtjen e Lulzim Bashës me rastin e Ditës së Ashures, edhe pse shumica e bektashive janë demokrat.

Vetëm pasi dëgjuan fjalët e bukura të Lulzim Bashës për afganët e shkretë, demokratët e kuptuan se me përfundimin e kësaj drame, më nuk do të flitet për protestat në Qytet Studenti që rrëzuan regjimin e Enver Hoxhës, por për sakrificat e Edi Ramës që pranoi refugjatët afganë të përndjekur nga talibanët dhe i strehoi në Qytet Studenti. Sakrificë e madhe që për epilog do të ketë padyshim një lapidar të madh ku ndër vite do të përkujtohet ky humanizëm i rrallë i qeverisë rilindase!

Por, pse mungoi urimi i Kryetarit të PD nuk u habitën sepse më nuk kanë se ndaj kujt të habiten. Në PD jo vetëm që mungon Lulzim Basha por edhe strukturat që ai nuk diti ti ngritë. Sekretari i Përgjithshëm po dergjet me truproje, Zyra e Shtypit pret urdhrin e radhës e sa për Protokoll, nuk ka, ashtu siç nuk kishte kurrë!

Në fund, pse e respekton kjo parti pa lider Goran Bregoviçin më shumë se vuajtjen e gjysmës së kombit nga kriminelët e luftës që ky këngëtar serb i adhuron, sot përgjigjen nuk e ka as Irfani, as Qeti, as Edi Rama dhe as Kunati. Përgjigjen mund ta gjeni në selinë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë, aty ku nuk funksionon asgjë. Nuk funksion sepse Lulzim Basha nuk e ngriti dhe nuk e ngrit dot PD-në!

Para tij PD kishte lider që drejtonte edhe pse mungonin strukturat, dhe për fatin e keq të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk erdhi as për të krijuar struktura dhe as për të drejtuar parti.

Për 8 vjet, asnjë bashkëpunëtor i tij nuk kishte lidhje me PD-në ashtu si dhe grupet e interesit që ofroi; Ndërsa fara e mendësisë që ai mbolli vinte nga laboratorët e së majtës ekstreme dhe LGBTI-së. E tillë është sot dhe sera të cilën Lulzim Basha e shndërroi Partinë Demokratike, që duke perifrazuar Vaso pashë Shkodranin mund të përmbledh figurat me të cilat ai u thotë demokratëve se drejton PD-në:

Ca thonë kam fè ca thonë kam din; Njeni: jam turk, tjetri: latin; Do thonë:  Jam grek, shkije – disa tjerë, por nuk janë demokratë ata që i solle, Lulzim Basha, o i mjerë!

Eunews.al

Comments are closed.