×
Monday, November 29, 2021

Lulzim Basha i zhveshi Berishës uniformën e rremë të PD

November 15, 2021

Nga Mero Baze

Deri sot në mesditë gjithë mbështetësit e Sali Berishës kishin vetëm një argument të fortë kundër Lulzim Bashës. Argumenti ishte se ata po vetëmblidhnin Kuvendin, për shkak se Basha nuk e mblidhte.

Sot në mbasdite Lulzim Basha, në bazë të kompetencave që ka nga statuti i PD, kërkoi mbledhjen e Kuvendit të PD më 18 dhjetor.

Ky moment, që për njerëzit normal dukej si kompromis i Bashës dhe zgjidhje paqësore e konfliktit, në fakt u shndërrua në pikën më të egër të konfliktit. Sali Berisha dhe gjithë mbështetësit e tij, tani po akuzojnë Bashën, pse po mbledh Kuvedin sipas rregullave të statutit të PD.

Aq i madh është zemërimi, sa Sali Berisha doli në konferencë për shtyp, duke e quajtur Kuvendin e ligjshëm të PD, të thirrur sipas rregullave të statutit, si atentatin më të madh ndaj demokratëve.

Kjo përforcon atë që kam thënë qysh në nisje të këtij konflikti, që Berisha nuk do që të bëjë një Kuvend sipas rregullave. Unë besoj se ai i ka firmat e nevojshme, jo të gjitha, ato që deklaron, por nuk i çon sipas ligjit tek sekretari i Përgjithshëm, pasi nuk do të legjitimojë më Partinë Demokratike.

Ai e di që Kuvendi i thirrur nga Basha është legjitim, por do të fillojë Kuvendin e tij paralel më 11 dhjetor dhe ta vazhdojë atë një muaj, duke krijuar përplasje, dhe fizike, me Kuvendin legjitim më 18 dhjetor.

Ai e di që të jesh delegat në Kuvend, duhet të marrësh një letër nga çertifikuesi i mandateve në PD, por nuk e bën këtë, pasi nuk kërkon të marrë PD-në. Ai kërkon ta mposhtë atë, duke mbajtur një ushtri militantësh të karikuar kundër SHBA, të maskuar si luftëtarë kundër Lulzim Bashës.

Lëvizja e sotme e Lulzim Bashës, është një lëvizje që e çarmatos Sali Berishën, e zhvesh atë nga petku i legjitimitetit dhe i tregon demokratëve, se ai nuk do Kuvend legjitim të PD, por një Kuvend paralel që të prodhojë një lëvizje të re politike, që nuk ka lidhje me PD.

Prej sot, kur PD e ka një datë Kuvendi për të diskutuar krizën e saj, sipas gjithë rregullave të statutit, Sali Berisha e ka të pamundur të maskojë lëvizjen e tij politike në emër të demokracisë brenda PD.

Ai ose do të shkojë të ballafaqohet aty, ose do të vazhdojë revolucionin e tij kundër SHBA, por tani jo më i veshur me uniformën e PD.

Sot Lulzim Basha e ka zhveshur “revolucionin” e tij nga ngjyrat e PD dhe e kë lënë Sali Berishën pa asnjë argument politik përse i duhet Kuvendi i 11 dhjetorit, përveçse si lëvizje kundër SHBA. Si të tillë është i lirë ta vazhdojë.

Dhe Hysni Milloshi më 11 dhjetor e nisi betejën kundër “agjentëve amerikanë” në Shqipëri. Shok partie e ka pasur Berishën.

Eunews.al

Comments are closed.