×
Friday, October 11, 2024

Luftëtarët e Mariupolit nuk dorëzohen përballë trupave ruse

April 18, 2022


Afati kohor i caktuar nga rusët për dorëzimin e trupave ukrainase në qytetin e shkatërruar të Mariupolit përfundoi të dielën në një betejë të ashpër, rezultati i së cilës mund të ndryshojë rrjedhën e luftës.

“Disa mijëra luftëtarë ukrainas të strehuar në një bunker në fabrikën e çelikut “Azovstal” iu ofrua një shans nga pala ruse për të dorëzuar armët”, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Por pala ukrainase duket se e ka refuzuar ofertën dhe ushtria ruse ka paralajmëruar se trupat që refuzuan “do të shkatërrohen”.

Në një fjalim drejtuar kombit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se qyteti strategjik bregdetar ishte në prag të humbjes, duke shtuar se situata vazhdonte të mbetej më e rënda e mundshme.

“Kjo është çnjerëzore. Rusia po përpiqet qëllimisht të shkatërrojë të gjithë ata që janë atje”, tha Zelensky.

Mariupol ka përjetuar gati dy muaj luftime dhe është bërë një nga shembujt më të shquar të taktikave brutale të Moskës në pushtimin e fqinjit të saj më të vogël. Me mijëra janë vrarë. Popullsia e qytetit para luftës ishte 450 000.

“Rreth 100 000 civilë kanë mbetur në kushte rrethimi, pa ushqim, ujë apo ngrohje”, sipas zyrtarëve lokalë dhe grupeve të ndihmës. Pjesa më e madhe e qytetit tani është nën kontrollin rus.




Comments are closed.