Lufta në Ukrainë, liderët e G7-s bisedojnë të dielën me Zelenskyn
Liderët e shtatë shteteve më të industrializuara (G7) do të mbajnë bisedime përmes video-lidhjes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Bisedimet do të zhvillohen të dielën, më 8 maj, bëri të ditur një zëdhënëse e Qeverisë gjermane, shtet që aktualisht kryeson G7-n.
“Kancelari gjerman [Olaf Scholz] do të zhvillojë video-konferencën e tretë prej fillimit të këtij viti me partnerët e G7-s”, tha zëdhënësja Christiane Hoffmann. Ajo shtoi se 8 maji, kur do të mbahen këto bisedime, është “datë historike për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë”.
“Në bisedime do të trajtohen çështjet aktuale, veçmas situata në Ukrainë. Presidenti ukrainas Zelensky do të marrë pjesë dhe do të raportojë për situatën në shtetin e tij”, tha ajo. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha më herët gjatë kësaj jave se ishte “i hapur” për vendosjen e sanksioneve të mëtejme ndaj Rusisë dhe se në takimin e G7-s do të diskutohet për masat ndaj Moskës.
“Ne gjithmonë jemi të hapur për sanksione të reja”, tha Biden, pasi më 4 maj Bashkimi Evropian prezantoi planet për pakon e gjashtë të sanksione. Në këtë propozim të bllokut evropian përfshihet edhe embargoja ndaj importeve të naftës ruse, por edhe masa të tjera në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Britania dhe Japonia.
Eunews.al