×
Monday, February 17, 2025

“Lufta ndaj korrupsionit kërkon një angazhim që shkon përtej institucioneve dhe politikës”

February 4, 2020


Në kuadër të javës së integritetit, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) në bashkëpunim me Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (IC Albania), zhvilluan takimin ndërgjegjësues me përfaqësues të biznesit.

Në fjalën e tij, nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla deklaroi se udhërrëfyes për Shqipërinë për të miratuar një strategji kuptimplotë edhe në luftën kundër korrupsionit janë raportet e e përvitshme të KE, ku në raportin e fundit të vitit 2019 përmenden pozitiv pozitivisht një sërë iniciativash të ndërmarra nga Shqipëria si plani i veprimit 2018 – 2020 për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit; ndryshimet në Ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive; Ligji për Prokurimin Publik; apo miratimi i Kodit të Sjelljes për deputetët e Kuvendit.

Sipas Ballës, Prokuroria dhe BKH janë garancitë për një goditje vdekjeprurëse të fenomenit të korrupsionit në Shqipëri. Pikërisht për shkak të rëndësisë që kjo reformë ka për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fund të fjalës së tij, Balla theksoi se lufta ndaj korrupsionit kërkon një angazhim që shkon përtej institucioneve dhe politikës.

Fjala e plotë e Taulant Ballës:

Një nga objektivat e KKIE është adresimi i çështjeve të detyrave të shtëpisë që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit europian.
Përsa i përket të dhënave për perceptimin e korrupsionit të cilat mund të gjenden lehtë qoftë në barometrin global të korrupsionit apo në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International do të thoja që krahasimi në aspektin analitik duhet bërë mes qeverive. Në shqipëri në vitin 2013 ka pasur një rrotacion politik të rëndësishëm. Të gjithë e dinë, referuar të njënjtit raport që ju referua znj. Hajdari vitet 2012-2013 mbahen mend në raportin e Trancarency International si vitet me korrupsionin më të lartë historik, ku Shqipëria renditej në vendin e 122 në botë dhe për të shkuar më pas në vitet 2016-2017 më të ulta historike të perceptimit të korrupsionit dhe padyshim beteja jonë me korrupsionin ka vijuar. Detyra jonë është që betejën ta thellojmë.
Takimi i sotëm trajton një tematikë e cila ka një rëndësi të veçantë vis a vis rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Europian. Dje patëm mundësinë në në praninë e z. Sassoli në Parlament të gjithë qytetarët morën mesazhin se tashmë jemi shumë pranë se kurrë çeljes së negociatave për anëtarësim të vendit tonë, gjë që na ngarkon me përgjegjësi të shumëfishuar përpjekjet tona në përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga BE-ja.

Në këtë kontekst dua të them që edhe ato rekomandime të bëra nga vendet anëtare, ku ndër to yll polar, udhërrëfyes kryesor shërbejnë edhe rekomandimet e bundestagut gjerman.
Udhërrëfyesi jonë për të miratuar një strategji kuptimplotë edhe në luftën kundër korrupsionit janë raportet e e përvitshme të KE, ku në raportin e fundit të vitit 2019 përmenden pozitiv pozitivisht një sërë iniciativash të ndërmarra nga Shqipëria si plani i veprimit 2018 – 2020 për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit; ndryshimet në Ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive; Ligji për Prokurimin Publik; apo miratimi i Kodit të Sjelljes për deputetët e Kuvendit.

Pavarësisht asaj që mund të bëjë një qeveri apo ligjvënësit (Parlamenti), Komisioni Europian nënvizon se “Megjithëse rivlerësimi i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, përparimi në këtë fushë është relevant për të vlerësuar rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.”

Korrupsionin në shoqeritë demokratike nuk e lufton dot më shumë se gjyqësori. Prokuroria, BKH janë garancitë për një goditje vdekjeprurëse të fenomenit të korrupsionit në Shqipëri. Pikërisht për shkak të rëndësisë që kjo reformë ka për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, Reforma në Drejtësi u mbështet që në hapat e saj të parë nga shumica jone qeverisëse. Nuk besoj se dikush këtu në sallë apo opinioni publik që na ndjek ka pasur ndonjëherë ndonjë dyshim që maxhoranca qeverisëse e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama ka ekuivok apo ka tërheqje përsa i përket çuarjes përpara të reformës në drejtësi. Prandaj përtej analizës me ‘lupë në dorë’ të raporteve si transparency international mbi perceptimin ndaj korrupsionit në vend, dua të nënvizoj se hapat e ndërmarra deri më tani për të ç’rrënjosur korrupsionin në shoqërinë tonë kanë qenë ta vazhdueshme pavarësisht se për shkak të përmasave që ky fenomen ka patur në shoqërinë tonë nuk mund të jenë asesi të të mjaftueshme dhe sigurisht duhet të intensifikohen për të arritur rezultatet që duam. Por nëse kritikët e drejtojnë gishtin drejt qeverisë apo ligjvënësve, vetë transparency international thekson rëndësinë e padiskutueshme të një sistemi drejtësie të pavarur për të investiguar dhe ndëshkuar korrupsionin.

Ne si qeverisje e majtë mund të kritikohemi për shumëçka, por nuk mund të kritikohemi kurrë për mungesën e vullnetit për të ndërmarrë reforma të cilat jo vetëm nuk u ndërmorën kurrë, por nuk u artikuluan as në diskure politike për dekada të tëra përpara nesh.

Për t’u kthyer konkretisht në rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian, Rekomandimi i fundit i lënë në 2019 ishte “Përpjekjet duhet të vazhdojnë drejt konsolidimit të historikut të sekuestrimit dhe konfiskimit/rikuperimit të pasurive kriminale që rrjedhin nga veprat penale që lidhen me korrupsionin”

Detyrë shtëpie e vendosur nga Komisioni Europian. Ajo që ne po bëjmë prej ditëve të para të muajit janar e në mënyrë të pakuptimtë, ku në çdo vend të botës opozita duhet të ishte e para ajo që duhet të mbështeste qeverinë në paketën që ne në një kontekst kuptimplotë e kemi quajtur ‘ANTI KÇK’, opozita është kundër kësaj strategjie.

Në lidhje me këtë aspekt, vullneti i kësaj shumice qeverisëse ka qenë i palëkundër, edhe shembulli më i fundit i krijimit të njësisë së re operacionale të Policisë së Shtetit OFL (OPERACIONI FORCA E LIGJIT), e cila do të zbatojë Ligjin Special për masat pasurore ndaj personave të dënuar apo të akuzuar për krim të organizuar, e vërteton plotësisht realizimin e kësaj detyre shtëpie. Korrupsioni shpesh ushqehet nga paratë e krimit dhe për këtë qëllim konfiskimi i burimeve pasurore të të akuzuarve për krim të organizuar, terrorizëm apo krime të rënda do të shërbejë si një mekanizëm për parandalimin e korrupsionit. Ashtu si edhe SPAK-u dhe Vettingu të cilët janë dy mekanizma të tjerë të cilët shërbejnë për hetimin e zyrtarëve apo prokurorëve /gjyqtarëve të korruptuar do të mundësojnë largimin një herë e përgjithmonë të të korruptuarve nga sistemi i drejtësisë në mënyrë që t’i japim fund ‘të paprekshmëve’ një herë e përgjithmonë.

Pavarësisht këtyre mekanizmave të fuqishëm sërisht jemi të vetëdijshëm që nuk mund të jetë e mjaftueshme për të ç’rrënjosur korrupsionin. Korrupsioni duhet luftuar në përditshmëri nga të gjithë aktorë politikë dhe jo vetëm, shoqëria civile apo qytetarë të thjeshtë. Këtu nuk bën përjashtim askush madje as opozita jo parlamentare shqiptare, e cila me sjelljet e saj antisistem ka ndikuar negativisht në fenomenin e korrupsionit. Thirrjet e vazhdueshme kundër shtetit, lëvizja e përgjithshme antishtet e gjithë këtyre muajve që e kanë zanafillën që me bojkotimin total të institucioneve, britmat anarkike dhe sjelljet e pajustifikueshme kundër Policisë së Shtetit në radhë të parë, por dhe të institucioneve shtetërore në tërësi patjetër që kanë pasur një ndikim negativ mbi publikun, mbi sipërmarrjen por edhe mbi administratën. Një nga pasojat e të gjithë këtij ndikimi negativ mund të thuhet padyshim është edhe rritja e shkallës së informalitetit. Prandaj këto sjellje janë të patolerueshme dhe secili aktor i sistemit politik duhet të mbështesë shtetin e së drejtës dhe luftën pa kompromis ndaj korrupsionit nëpërmjet mekanizmave që kanë në dispozicion dhe sigurisht brënda kornizës ligjore.

Padrejtësitë dhe korrupsioni i shkaktuar nga administrata gjithashtu ka qenë një sfidë për shoqërinë tonë në tre dekadat e fundit.

Viti 2020 ka nisur me revolucionin digjital në të gjitha shërbimet publike. Vetëm pak minuta online në kompjuter apo celular, duke klikuar vetë nga kudoqoftë (brenda ose jashtë vendit) ose me një ndihmë të parë në sportelet zyrave të postës të njësive administrative mund të kryen procedurat e nevojshme që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë. Sa shumë kanë vuajtur qytetarët për t’u endur zyrave dhe radhëve pafund për të marrë një dëshmi penaliteti, madje duke futur mik apo duke paguar ryshfet për të marrë një shërbim sa më shpejt. Ky proces rrënjësisht transformues do të lehtësojë ndjeshëm edhe për biznesin duke eleminuar endjen, pritjen, arrogancën në raste të caktuara të zyrtarëve.
Së fundmi dua të theksoj se edhe në kuadër të reformës zgjedhore, ligji mbi financimin e partive politike është vullnet i maxhorancës për të propozuar ndryshime për të mundësuar transparencën e financimit të partive politike por siç e kemi theksuar kjo paketë ka nevojë për dakordësimin e të gjithë aktorëve politikë përfshirë dhe opozitën jashtëparlamentare, e cila përsa i përket çështjes së financimit të partive politike ka një nevojë ulëritëse po të kemi parasysh akuzat e rënda që rëndojnë mbi ta.

Dua ta mbyll fjalën time duke ju ftuar për të përcjellë mesazhin që lufta ndaj korrupsionit kërkon një angazhim që shkon përtej institucioneve dhe politikës dhe sigurisht kërkon angazhim mbarëqytetar dhe i bëj thirrje çdo qytetaripranë SPAK apo prokurisë për të denoncuar këtë fenomen të shëmtuar për të ulur këtë ndikim të korrupsionit në shoqërinë tonë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments