Ligji i ri për Policinë, Balla: Mirëmenaxhim dhe garantim i karrierës për efektivët



Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Brendshme në ligjin e ri të Policisë së Shtetit, synojnë të kthejnë trupën policore në një institucion të zbatimit të ligjit të një vendi anëtar të Bashkimit Evropianë deri në vitin 2030.
Duke prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin për “Policinë e Shtetit”, në komisionin për Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvend, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ligji adreson problematikat e konfliktit të interesit, luftës ndaj korrupsionit, sipas edhe rekomandimeve të GRECO-s dhe po ashtu plotëson disa nga rekomandimet e OSBE-së.
“Ligji në fuqi për Policinë e Shtetit ka qenë një ligj i mirë për kohën kur u miratua dhe ka synuar dhe ka arritur rezultate në përmirësimin e performancës së Policisë në raport me të drejtat dhe pritshmëritë e qytetarëve. Po ashtu, ai ka kontribuar ndjeshëm në shumë fusha të sigurisë publike, duke arritur parametra europianë në të gjitha komponentët, duke nisur nga lufta ndaj krimit, dhe duke vijuar me parametrat të rendit publik dhe sigurisë në tërësi”, u shpreh Balla.
“Sa i përket procesit të hartimit të kësaj nisme, mund t’ju them se ligji është hap i rëndësishëm sa i përket përmbushjes nga Shqipëria, të detyrimeve përgjatë procesit të anëtarësimit në BE në të gjitha çështjet që lidhen me kapitujt dhe grup kapitujt për forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Mund të ju garantoj se kjo nisëm krijon infrastrukturën e domosdoshme ligjore për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për sa i përket mirëmenaxhimit, garantimit të karrierës së pavarur për çdo punonjës të Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri.
Balla tha se “kjo iniciativë ligjore synon një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme të çështjeve që ne synojmë të përmirësojmë për të konsoliduar të gjithë përvojën e mirë të arritur deri më tani, por natyrshëm për të vendosur edhe bazat e një reformimi, që synon të na çojë te një Polici Shteti e një vendi anëtarë të BE deri në vitin 2030”.
“Synojmë të krijojmë një agjenci ligjzbatuese të mirëkonsoliduar, autonome dhe të vetëdijshme, për çdo hallkë të organizimit të saj dhe për të mos harruar për të qenë proactive. Puna për pr/ligjin ka nisur në shtator 2023. Ka patur diskutim shumë konstruktivë me vetë struktura te Policisë së Shtetit, në disa nivele, me partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Brendshme. I jemi referuar analizave të thelluara, të modeleve të disa vendeve, së pari Italinë, Kroacinë, Slloveninë, Rumaninë. Por, ekspertizës së vyer të organizatave ndërkombëtar që punojmë çdo ditë, BE, SHBA (ICITAP), Zvicra, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar..etj”, tha Balla.
“Ligji i është nënshtruar dhe një procesi konsultues shumë gjithëpërfshirës. Ligji i ri adreson konfliktin e interesit dhe adreson rekomandimin e GRECO për luftën ndaj korrupsionit. Dua ta informoj që të gjitha rekomandimet e GRECO-s janë referuar në ligjin e ri të policisë së Shtetit”, u shpreh Balla.
Balla tha se në lidhje me format e reja të krimit, që lidhen dhe me krimin kibernetike, pastrimit të parave etj, synojmë që përmes këtij ligji të hidhen bazat e shëndosha për një infrastrukturë të përshtatshme ligjore për modernizimin e policimit si shërbim publik.
“Ligji sjell një risi për sa i përket pranimeve në policinë e Shtetit, roleve zbatuese. Dua t’ju informoj se ligji orienton profilizimin. Dhe këtu dua t’ju informoj se pas shumë viteve ndërprerje, Akademia e sigurisë rikthehet sërish me 100 studentët e parë në sistemin “bachelor” që në përfundim të ciklit të studimeve do të marrin gradën nënkomisar”, tha Balla.
Balla tha se dhe trajtimi financiar i Policisë së Shtetit më fund është dinjitoz. “Është adresuar dhe problemi i pagesave të ushqimit përmes kartave bankare”, tha ministri i Brendshëm.
Balla nënvizoi se ligji garanton dhe karrierën e punonjësit të policisë sipas performancës.

