Liderja e opozitës bjelloruse takohet me ministrat e Jashtëm të BE-së
Bjellorusia është tronditur nga demonstratat kundër presidentit, Aleksandër Lukashenko, që kur ai u shpall fitues në zgjedhjet e 9 gushtit, për të cilat opozita dhe vendet perëndimore thonë se ishin të manipuluara.
Tikhanovskaya u takua me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel dhe i nxiti ata të sanksionojnë Lukashenkan por, pavarësisht thirrjeve, blloku ende nuk ka marrë një vendim.
“Sanksionet janë shumë të rëndësishme në luftën tonë, sepse sanksionet janë pjesë e presionit që do të detyrojë të ashtuquajturit autoritete të fillojnë dialogun me ne”, u tha ajo gazetarëve në Bruksel.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha pas takimit me Tsikhanouskaya se ministrat “janë vërtet të impresionuar nga guximi dhe këmbëngulja e popullit bjellorus, veçanërisht grave bjelloruse, të cilat po tregojnë një aftësi të vërtetë udhëheqjeje”.
Borrell gjithashtu hodhi poshtë akuzat nga Bjellorusia dhe aleati i saj, Rusia, për ndërhyrje evropiane duke thënë se “kjo nuk mund të konsiderohet si ndërhyrje në punët e brendshme sepse demokracia dhe të drejtat e njeriut janë në thelbin e identitetit të Bashkimit Evropian”.
BE-ja ka përgatitur një listë me rreth 40 persona që mund të përballen me sanksione për shkak të shtypjes së protestave.
Blloku nuk ka marrë ende një vendim nëse në listë duhet të figurojë edhe Lukashenka, i cili ka shtypur opozitën dhe mediat e pavarura gjatë 26 viteve në pushtet dhe nuk pranon të flasë me protestuesit.
Nëse çështja e sanksioneve të Bjellorusisë nuk zgjidhet nga ministrat e jashtëm të BE, diplomatët thonë se ka të ngjarë që kjo çështje të shqyrtohet në një samit të BE-së më 24 dhe 25 shtator.
Eunews.al