×
Monday, November 29, 2021

Liderët e Ballkanit Perëndimor mesazhe ngushëllimi për ngjarjen tragjike në Bullgari

November 23, 2021

 Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur ngushëllimet për ngjarjen tragjike të ndodhur në Bullgari, ku një autobus me targa maqedonase ka marrë flakë duke shkaktuar vdekjen e 46 pasagjerëve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj ngjarjes së dhimbshme që u shënua në orët e para të mëngjesit të sotëm duke theksuar se ”nuk ka fjalë për këtë tragjedi, ku pothuajse të gjithë udhëtarët kanë ndërruar jetë”.

”S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët…  Dhimbje”, shprehet Rama.

Ngushëllime ndaj kësaj tragjedie kanë ardhur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

”I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Momente të vështira si këto lehtësohen duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit. Republika e Kosovës solidarizohet me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shpreh gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, ka shkruar Kurti.

Ngushëllimet erdhën edhe nga presidenti serbi, Aleksandar Vuçiç, i cili personalisht dhe në emër të qytetarëve të Serbisë, u dërgoi ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave.

”Me mosbesim dhe pikëllim mora lajmin e tmerrshëm për vdekjen tragjike të pasagjerëve në një autobus në Bullgari. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndajmë me qytetarët e vendit tuaj. Në heshtje para kësaj tragjedie, ne u shprehim ngushëllime familjeve të viktimave”, ishte ngushëllimi i Vuçiç drejtuar presidentit Pendarovski dhe kryeministrit Zaev.

Dhimbjes i bashkohet edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë i cili përmes Twitterit shprehu ngushëllime për familjet e të vdekurve në aksident.

“Absolutisht jam i shokuar nga fatkeqësia e tmerrshme e jetëve të humbura në Bullgari herët në mëngjes, veçanërisht për fëmijët e vegjël. Lutjet tona u drejtohen atyre që  humbën jetën. U dëshirojmë shërim të shpejtë të lënduarve”, shkroi Mitsotakis në Twitter.

Lideri i GERB-it, Bojko Borisov i shprehi ngushëllime kryeministrit Zoran Zaev me rastin e fatkeqësisë së rëndë të autobusit në të cilën 46 njerëz humbën jetën.

“Bisedova në telefon me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Shpreha ngushëllime për qytetarët e vdekur të vendit të tij në fatkeqësinë e autobusit në autostradën ‘Struma’”, shkroi Borisov në Facebook.

Borisov siguroi kryeministrin Zaevin se të lënduarit të cilët janë hospitalizuar në spitalin në “Pirogov” në Sofje do ta marrin kujdesin më të mirë mjekësor.

Eunews.al

Comments are closed.