×
Thursday, January 22, 2026

Lamtumira e fundit për Kadarenë, Rama: Përcillet nën hijen e shenjtores Nënë Terezë, shqiptari që i takon botës

July 3, 2024


Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalën e rastit në ceremoninë e lamtumirës së fundit të shkrimtarit, gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë.

Pas homazheve në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ceremonia e përcjelljes vijoi me himnin kombëtar dhe fjalën e Kryeministrit që siç u shpreh ai, ia kishte kërkuar bashkëshortja e Kadaresë, Helena.

Rama u ndal tek rastësia e dekorit me simbolet e Nënë Terezës që ndodheshin aty për një shfaqje ndërsa protokolli organizonte homazhet për shkrimtarin.

“Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore, ishte këtu, kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do i shkonte mendja, çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj shqiptares që i takon botës, asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës”, u shpreh Rama.

“Duke e pas njohur e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë në mbrojtje, nga të tërë ata, shumë që se donin, po dhe nga ata jo pak që e donin, po s’do t’i donte asesi rrotull përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, tha Rama.

“Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, po mbeti në arkivat e procesverbaleve të Komitetit të Nobelit, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Ai erdhi, shkroi dhe iku!”, u shpreh Rama ndërsa vuri nw dukje vendimin pwr t’ia respektuar ikjen duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar, që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar, që e kishte lemeri dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari.

Rama njoftoi të pranishmit në homazhe se është kërkesë legjitime e hijes së tij të pandashme, Helenës, që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve.

Në fund, Rama u ndal të falënderojë edhe njëherë publikisht Ismailin për një dhuratë shumë speciale, të cilën ai, u shpreh Kryeministri, “ma ka bërë mua dhe të gjithë brezave të dashnorëve të paepur të gjuhës shqipe, me përkthimin magjepsës të Resë në Pantallona të Vladimir Majakovskit”.

“Ai e di, e dinte, ia kam thënë më shumë se sa njëherë, po edhe unë sot e di, që do t’i vinte shumë mirë nëse po të kishte mundësi të merrte pjesë këtu me sy e veshë në funeralin e tij, t’i dëgjonte këta rreshta:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

U prehsh në paqe Ismail, i the të gjitha!”, përfundoi Rama.




Comments are closed.