×
Thursday, July 9, 2020

Lajçak konsultohet në Berlin për dialogun Kosovë-Serbi

July 9, 2020

Në prag të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, i ngarkuari i BE Mirsolav Lajçak është takuar në Berlin me autoritetet gjermane. Berlini kërkon marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për stabilitet të përhershëm kërkohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është parakushti kyç për realizimin e perspektivës së këtyre dy vendeve drejt Bashkimit Evropian ”, shkruan në një postim në Twitter, minisri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, pas takimit me përfaqësuesin e BE në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diplomati sllovak ka ardhur të martën në Berlin për konsultime me autoritetet gjermane, në prag të vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ditën e shtunë dhe të diel në Bruksel.

Ministri i Jashtëm gjerman është i mendimit se Miroslav Lajçak ka vënë synime ambicioze në këtë dialog, të cilat pala gjermane do t’i mbështetë. Maas thotë se Gjermania është e interesuar për përparim të shpejtë për njerëzit në rajon. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë. BE duhet të ketë rol udhëheqës”, thekson Maas.

Takimet e Lajçakut në Berlin

I ngarkuari i BE për dialogun Miroslav Lajçak ka konfirmuar se në Berlin ka pasur takim edhe me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, këshilltarin e kancelares Angela Merkel për Politikë të Jashtme, Jan Hecker dhe autoritete të tjera. Në Twitter ai shkruan se ka pasur takime frytdhënëse me autoritetet gjermane. “Folëm rreth dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, rëndësisë së dialogut të parë të nivelit të lartë më 12 korrik, pas samitit në Paris më 10 korrik”, shkruan Lajçak.

Nën mbikqyrjen e presidentit të Francës Emanuel Macron, të premten në Paris do të zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë, me pjesëmarrjen edhe të kancelares gjermane Angela Merkel. Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa Serbinë Presidenti Aleksandar Vuçiq.

Hoti dhe Vuçic te Macroni

Hoti është takuar të martën me Macronin në Paris dhe kanë biseduar për vazhdimin e dialogut si dhe mundësinë e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ata të dy kanë rënë dakord edhe për krijimin e një delegacioni të përbashkët të ministrive të brendshme, i cili do të vlerësojë gjendjen në terren. Pala franceze ka frikë se me liberalizimin e vizave mund të ketë një valë të re të personave që vijnë në Francë për të kërkuar azil. Ndërsa pala kosovare shpreson se liberalizimi do të ndodhë deri në fund të vitit.

Këtë të mërkurë në Paris pritet edhe presidenti i Serbisë Vuçiq.

Ndërsa takimin e tyre të parë të drejtpërdrejtë Hoti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e Lajçakut dhe autoriteteve evropiane, do ta kenë të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në Bruksel. Në Bruksel thuhet se ky duhet të jetë takimi i parë në vazhdimin e dialogut të ngrirë, i cili duhet të çojë drejt normalizimit gjithpërfshirës të raporteve mes këtyre dy vendeve.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për