×
Sunday, September 26, 2021

Lagjet muzeale të Beratit, lehtësira për turistët e huaj

August 22, 2021

Monumentet kryesore të kategorisë së parë në lagjet muzeale të Beratit, kryesisht në lagjen Kala e Mangalem janë duke u plotësuar me tabela informacioni në shqip dhe anglisht.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “informacionet, përshkrimi i vlerave historike e arkitekturore i monumenteve përbën një nga ndërhyrjet më me vlerë në kuadër të rritjes së shërbimit ndaj turizmit kulturor në Berat”.

Në këtë mënyrë, vijon Kallfani, vizitorë e turistë kanë mundësi të ndalen e të lexojnë informacion të vlefshëm për ta duke i “përfshirë” ata tërësisht në historikun e qytetit, në atë të monumenteve dhe vlerat e tyre.

Disa nga monumentet, të cilat u pajisën me tabela informuese janë Xhamia e Kuqe, Xhamia e Bardhë, Ish Sarajet e Pashait, kisha e Shën Todrit,ndërkohë që në ditët në vazhdim do të vendosen informacione të tilla edhe për kishën e Shën Gjergjit, kishën e Shën Ilias, kishën e Shën Triadhës, kishën e Shën Kollit, kishën e Shën Vllahernës dhe kishën e Kostandinit dhe Helenës.

“Duke parë rritjen e fluksit të turistëve gjatë dy muajve të fundit rritja e nivelit të shërbimit ndaj turistëve, plotësimi me tabela informuese, mirëmbajtja e tabelave e koshave të pastrimit dhe përkujdesja ndaj ambientit është prioritet për Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Berat”, – tha Kallfani.

Drejtori i DRTK Berat Kallfani i bën thirrje banorëve të ruajnë dhe të mos thyejnë tabelat si dhe të denoncojnë e të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore për çdo akt vandal nga njerëz të papërgjegjshëm.

“Kujdesi ndaj trashëgimisë është mision i pamundur pa ndihmën e bashkëpunimin e të gjithëve”, – tha Kallfani.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Eunews.al

Comments are closed.