×
Thursday, June 18, 2020

Kush po e sulmon ambasadorin Soreca?

June 18, 2020

Qëndrimi i zëdhënësit kryesor të Josep Borrel-it, shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian në mbrojtje të ambasadorit të tij në Tiranë, Luigi Soreca, ka qenë një sinjal i fortë, por edhe një kambanë alarmi për politikën shqiptare.

Peter Stano, një zyrtar i Brukselit, e zëdhënës i Komisionit Europian ka deklaruar se “Akuzat në disa media që vënë në pikëpyetje punën e delegacionit të BE-së në Shqipëri janë të pabaza. Qëndrimet e shprehura nga delegacioni i BE në Tiranë janë qëndrime të BE-së. Ne mbështesim plotësisht punën e saj të shkëlqyer duke përfshirë edhe reformën zgjedhore drejtuar nga Ambasadori Soreca dhe ekipi i tij për ta afruar Shqipërinë me Bashkimin Europian”.

Kjo vendosje e pikave mbi “i”, i ka dhënë fund një fushate që ka nisur që prej ardhjes në Tiranë të ambasadorit Soreca, por që kanë pasuar sulmet edhe më të egra ndaj pasardhëses së tij kroates Romana Vlahutin.

Soreca, në misionin e tij si kryediplomat i BE-së vijoi punën e paraardhëses në promovimin e mbështetjes së reformës në drejtësi dhe ishte një nga aktorët kyҫ në arritjen e paktit të reformës zgjedhore, që futi edhe një herë në sistem opozitën e Lulzim Bashës.

Por gjatë gjithë kohës, Soreca, i cili ka qenë një nga prokurorët e zyrës Antimafia në Palermo, koleg me Giovani Falconen e Paolo Borselinon, nuk është lënë rehat nga qarqe politike pranë LSI-së kryesisht, por edhe të PD-së, që i referohen ish-kryeministrit Berisha, i cili edhe personalisht e ka sulmuar me akuza nga më monstruozet.

Por kulmi arriti këto ditë, kur këto qarqe lobuan për publikimin e një shkrimi në një gazetë që botohet në Bruksel, por që është pronë e grekut Basil Coronakis, e përjavshmja “New Europe”, e cila jepet falas në zyrat e BE-së dhe në hotelet e Brukselit.

New Europe, është një media lobuese që financohet nga kompani dhe qarqe të ndryshme për të bërë prezent në sallonet e Brukselit qëndrime apo zhvillime që mund të ndikojnë në vendimmarrjen e Parlamentit Europian dhe Komisionit. Ajo funksionon kryesisht prej marketingut.

Shkrimi ndaj Soreca-s, që u përkthye edhe në mediat shqiptare, akuzonte ambasadorin se po mbështet Edi Ramën, duke keqinformuar Komisionin Europian.

Artikulli mbron qëndrimet e Presidentit Meta për reformën në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese, ҫka duket qartë se nga kush është porositur ky shkrim.

New Europe, shpesh në qëndrimet e saja ka qenë edhe zëdhënëse qëndrimeve të Greqisë në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri dhe presionet që Athina ka bërë duke kërcënuar për veton e saj për hapjen e negociatave.

Por ҫështja është e qartë, ngaqë ambasadori Soreca, sado që të jetë i fuqishëm ai nuk do të mund të japë një agjendë personale, pasi përfaqëson një kancelari shumë të rëndësishme si BE që nuk lejon gjëra të tilla.

Sulmet ndaj Soreca-s, përfaqësojnë një logjikë të pastër shantazhi, në mënyrë që ai të ndikohet nga këto sulme për të ulur ritmin e misionit të tij këtu.

Dhe që është i përqendruar kryesisht në reformën në drejtësi, pasi siҫ dihet, BE drejton edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, që është edhe zemra e reformës në drejtësi, i cili ka nxjerrë nga sistemi gjyqtarët e prokurorët e dyshuar për korrupsion.

Edhe Neritan Ceka, një nga arkeologët më të rëndësishëm në vend, akuzoi ambasadori Soreca se ka abuzuar me fondet e dhëna për Bylisin pasi u është dhënë tenderi disa të huajve.

Bashkimi Europian funksionon me rregulla strikte të prokurimit dhe ka filtra pa fund, por mënyra e sulmit të zotit Ceka, i cili ka qenë edhe ambasador është së paku jo etike.

Profesor Ceka ishte mërzitur pasi kërkonte që punimet t’i drejtonte ai, ngaqë është dhe një nga zbuluesit kryesor të Bylisit. Frustrimi i intelektualit të njohur, mund të jetë i bazuar, por jo sa të ҫojë në devijim moral sa të sulmojë poshtë brezit një diplomat. Gjithmonë ka rrugë për të kontestuar ndaj pakënaqësive pa zbritur në mënyra fundore.

Megjithatë, duket se e gjitha është një lojë e pastër politike, për të krijuar një “mur propagandistik” ndaj misionit të BE-së në Tiranë për ҫështjen e shtyrjes para të reformës në drejtësi. Kaq e thjeshtë është. Por qëndrimi i zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i ka vërë vulën ҫdo vijimi të tyre. Ata thjesht do të quhen të “pabaza e të papranueshme”./ Nga Ylli Pata

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për