×
Tuesday, December 6, 2022

Kush është fajtor për ‘sabotimin’ e tubacioneve ruse?

October 7, 2022

Rrjedhjet masive që shpërthyen papritur në tubacionet e gazit të Rrjedhës Veriore, që kalojnë nga Rusia për në Evropë nën Detin Baltik, kanë bërë që të dalin shumë teori. Por, ka pak përgjigje të qarta se kush apo çfarë i shkaktoi këto dëme.

Më poshtë mund të mësoni se çfarë dihet deri më tani për këto rrjedhje të gazit.

Kush është fajtor?

Teksa hetimet e autoriteteve evropiane po vazhdojnë, policia suedeze tha më 6 tetor se dyshimet për sabotim të madh në tubacionet e gazit janë forcuar, pas hetimeve të kryera në vendngjarje.https://f2937dac8a262b6e8f7be3d036fe81d2.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Danimarka po ashtu po kryhen një hetim dhe së bashku me Suedinë, kanë përjashtuar mundësinë që Rusia të përfshihet në hetime.

Ministria e Jashtme ruse tha të enjten se “është e paimagjinueshme” që një hetim për rrjedhjet nga gazsjellësit rusë Rrjedha Veriore 1 dhe 2, të vazhdojë pa pjesëmarrjen e Moskës.

Deri më tani, qeveritë perëndimore dhe zyrtarët kanë shmangur që të fajësojnë direkt dikë, ndërkaq Rusia ka fajësuar Perëndimin për katër rrjedhjet në tubacionet ruse.

Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, tha se “është shumë e qartë” se kush qëndron pas kësaj, por nuk pranoi të specifikonte se për kë po fliste.

Kremlini tha se pretendimet për përgjegjësinë ruse ishin “budallallëk” dhe zyrtarët rusë thanë se Uashingtoni ka pasur motiv që të bëjë diçka të tillë, pasi sipas tyre, ai dëshiron që të shesë më shumë gaz të lëngshëm natyror në Evropë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, javën e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj “hodhën në ajër” Rrjedhën Veriore. “Sanksionet nuk ishin të mjaftueshme për anglosaksonët: ata lëvizën drejt sabotimit”, tha ai.

Në deklarimet e mëhershme, Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë akuzat se qëndron pas rrjedhjeve në tubacionet ruse. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha më 30 shtator se dëmet në Rrjedhën Veriore 1 dhe 2 ishin akt i qëllimshëm i sabotimit.

Pse duhej të sabotohej gazsjellësi?

Shefi i Marinës gjermane, Jan Christian Kaack, tha më 26 shtator për Die Welt – në ditën kur u raportuan rrjedhjet, edhe pse ai këtë intervistë e kishte dhënë më herët – se “Rusia po ashtu ka ndërtuar kapacitete të konsiderueshme nën ujë. Në shtratin e Detit Baltik, por edhe në Atlantik, ka infrastrukturë mjaft kritike, sikurse tubacione apo kabllo nënujore për teknologji informative”, tha ai.

Përgjatë gazsjellësit të Rrjedhës Veriore, një gazsjellës i ri është ndërtuar nga dy shtetet që prodhojnë gaz, Norvegjia dhe Polonia. Këto dy shtete po synojnë që t’i japin fund varësisë nga energjia ruse, duke e bërë këtë rajon shumë të ndjeshëm për sigurinë energjetike të Evropës.

“[Rusia] nuk mund të kërcënojë evropianët përmes aktit të sabotimit. Sepse, nëse ata janë në gjendje të hedhin në ajër këto tubacione që gjenden në shtratin e Baltikut, ata mund ta bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj tubacionit të ri”, tha Kristine Berzina, hulumtuese e lartë për siguri dhe mbrojtje në Fondin Gjerman Marshall.

Megjithatë, nëse është akt sabotimi, ai ka dëmtuar tubacionet e ndërtuara nga Gazpromi – kompani e kontrolluar nga Kremlini – dhe partnerët e tij evropianë, dhe kostoja e ndërtimit të gazsjellësve rusë ka arritur në miliarda dollarë.

Dëmet po ashtu nënkuptojnë se Rusia humb një element të rëndësishëm të levës që kishte mbi Evropën, e cila po tenton që të gjejë furnizues të tjerë të gazit për stinën e dimrit, edhe nëse tubacionet ruse nuk pomponin gaz kur u zbuluan rrjedhjet, thanë analistët.

Por, pavarësisht se ku qëndron faji, Ukraina mund të përfitojë nga kjo situatë. Kievi për një kohë të gjatë i ka bërë thirrje Evropës të ndalë blerjen e karburanteve ruse, edhe pse një pjesë e gazit që shkon në Evropë, kalon nëpër territorin e saj. Ndërprerja e Rrjedhës Veriore e afron më pranë realitetit thirrjen e Kievit që të ketë një embargo të plotë ndaj energjisë ruse.

Si mund të jetë dëmtuar Rrjedha Veriore?

Ekspertët thanë se shkalla e dëmeve, por edhe fakti që rrjedhjet janë shumë larg njëra-tjetrës dhe në dy tubacione të ndryshme, lënë të kuptohet se ishte një akt i qëllimshëm dhe i orkestruar mirë.

Sizmologët në Danimarkë dhe Suedi kanë regjistruar dy shpërthime të fuqishme më 26 shtator në afërsi të vendit ku u zbuluan rrjedhjet. Ata po ashtu kanë deklaruar se shpërthimet kanë ndodhur në ujë, dhe jo nën shtratin e detit.

Prokurori suedez Mats Ljungqvist, që është përgjegjës për hetimet preliminare, konfirmoi më 6 shtator se ka pasur shpërthime në Rrjedhën Veriore 1 dhe 2, që gjenden në Zonën ekonomike suedeze. Sipas tij, këto shpërthime kanë shkaktuar dëme të mëdha në tubacionet e gazit.

Ai shtoi se nga vendi i ngjarjes janë marrë të dhëna, por tha se detajet për to nuk janë për publikun, pasi ky rast është i ndjeshëm.

Një burim britanik i tha Sky News se sulmi me gjasë ka qenë i paramenduar dhe shpërthimet mund të jenë shkaktuar nga minat nënujore apo edhe nga ndonjë eksploziv tjetër.

“Diçka e madhe i shkaktoi këto shpërthime, që do të thotë… Rusia mund ta bëjë këtë. Në teori, edhe SHBA-ja mund ta bëjë, por unë nuk shoh që Uashingtoni mund të ketë pasur një motiv për të bërë diçka të tillë”, tha Oliver Alexander, analist i informacioneve të inteligjencës.

Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë i kanë bërë thirrje Evropës që të largohet nga varësia që ka nga gazi rus, tha ai, por Uashingtoni nuk ka ndonjë motiv të madh që do ta shtynte të vepronte tani kundër Rrjedhës Veriore, pasi ky gazsjellës tashmë ka ndërprerë dërgesat për Evropë, edhe pse tubacionet kanë ende gaz nën presion.

“Ata veçse kanë pasur sukses në ndalimin e hyrjes në funksion të Rrjedhës Veriore 2”, tha ai.

Analistët thanë se është e mundur që dëmet të jenë shkaktuar nga pajisje që mund të gjenden në tregjet komerciale. Por, duke pasur parasysh shkallën dhe precizitetin, ky akt ka më shumë të ngjarë që është kryer nga ndonjë aktor që ka qasjen në teknologji më të sofistikuar.

BE: Rrjedhjet në tubacionet ruse, akte të qëllimshme

Televizioni amerikan CNN, duke cituar tri burime, raportoi se zyrtarët evropianë të sigurisë kanë parë anije mbështetëse të Marinës ruse dhe nëndetëse jo larg vendit ku ndodhën rrjedhjet në gazsjellësit e Rrjedhës Veriore. I pyetur për këto raportime, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha se në atë zonë ka pasur prezencë më të madhe të NATO-s.

Çfarë pritet të ndodhë?

Evropianët, përfshirë danezët, po shtyjnë përpara hetimet e tyre dhe pritet që rezultate të tjera të publikohen së shpejti.

Tash për tash, një fajësim më i drejtpërdrejt midis Rusisë dhe Perëndimit do të mund të përkeqësonte tensionet që veçse janë të larta për shkak të luftës në Ukrainë, tha Marek Swierczynski, analist i mbrojtjes në institutin polak Polityka Insight./ Radio Evropa e Lirë



Comments are closed.