×
Wednesday, January 19, 2022

Kurti: Serbët e Kosovës votim me postë ose tek zyra ndërlidhëse

January 13, 2022

Pas një bisede telefonike që kryeministri i Kosovës pati me kryediplomatin e BE, Josep Borrell, ai u shpreh, se serbët e Kosovës mund të votojnë në referendumin e Serbisë vetëm me postë ose përmes zyrës ndërlidhëse.

Në lokalitetet e banuara me shumicë serbe në Kosovë nuk do të ketë hapje të qendrave të votimit, por serbët e Kosovës që kanë dy shtetësi mund të votojnë në referendumin në Serbi përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë. Të dielën më 16 janar, Serbia mban një referendum, në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen lidhur me pyetjen: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbrëmje zhvilloi një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe tha se qëndrimin e Kosovës lidhur me referendumin në Serbi  ia konfirmoi edhe zotit Borrell. “Ia transmetova qëndrimin tonë: serbët në Kosovë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, shkroi Albin Kurti në Twitter pas bisedës telefonike që zhvilloi me Josep Borrell.

Borrell: Të ushtrohet e drejta për të votuar

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell është shprehur, se për referendumin e Serbisw ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, qytetarët duhet të lejohen ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. “Kam folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në lidhje me referendumin për Kushtetutën që organizohet të dielën në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën, është bërë përmes lehtësimit të OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, shkroi Borrell të enjten në Twitter.

Vuçiq: Pasoja afatgjata

Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është shprehur të mërkurën, se moslejimi i mbajtjes së referendumit në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë “do ketë pasoja afatgjata përtej asaj çfarë mendojnë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar”. “Pasojat do të jenë të gjëra për ata që duan të ndalojnë votimin e serbëve në referendum. Kërkesa ime për të gjithë komunitetin ndërkombëtar është që të informojë fëmijën e tyre që e përkëdhel dhe kujdeset aq shumë, se duhet të respektojë marrëveshjet. Pasojat do të jenë shumë të rënda nëse kjo ndodh, më të rënda se  ç’supozojnë shqiptarët e Quint-i”, ka thënë Vuçiq për mediat publike në Serbi. Ai i bëri thirrje diplomatëve perëndimorë që të bëjnë presion mbi Prishtinën, ndërkohë, i kërkoi OSBE-së, që të trajtojë referendumin e Serbisë njësoj si është vepruar me votimet për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Serbien Präsident Aleksandar Vucic

Pse Kosova mban qëndrim ndryshe ndaj referendumit?

Kosova nuk e ka ndaluar organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë  në Kosovë, por në rastin e referendumit situata është më ndryshe, thonë zyrtarë të qeverisë. “Duhet bërë dallimi mes referendumit për një çështje ekskluzivisht të brendshme të një vendi dhe zgjedhjeve. Në rastin konkret, Serbia po organizon referendum për sistemin e organizimit shtetëror të Serbisë, përkatësisht sistemin e drejtësisë”, ka thënë qeveria e Kosovës.

Të dielën më 16 janar Serbia mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.Autoritetet e Kosovës disa herë kanë përsëritur se Serbia do të duhej të ndryshonte kushtetutën e saj për të hequr pjesën në të cilën thuhet, se Kosova “është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.

Comments are closed.