×
Friday, December 3, 2021

Kurti: Nënshkrimi i 13 marrëveshjeve në horizontin e integrimeve në BE

November 26, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot nga Elbasani se “nëpërmjet 13 marrëveshjeve të nënshkruara sot në mbledhjen e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese nëpërmjet dy qeverive tona do ta rrisim edhe më shumë bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi, zhvillim dhe mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe gjithë rajonin”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, pas mbledhjes së dy qeverive, Kurti tha se “jam shumë i nderuar e gëzuar me mbledhjen e 7-të të përbashkët mes dy qeverive tona. Në vizitën e Kryeministrit Rama para dy muajve në Prishtinë u zotuam që e shohim tejet të rëndësishme koordinimin e sinkronizimin gjithandej dhe mbledhja e sotme është një hap i madh në këtë drejtim”.

Sipas Kurtit, progresi në numrin e marrëveshjeve do të shoqërohet me cilësi në zbatimin e tyre, sepse janë sa me rëndësi ekonomike dhe kulturore, po ashtu edhe historike.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se “bashkëpunimi mes dy qeverive do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve për të jetuar krenarë ne vendin e tyre”.

“Kjo mbledhje dhe marrëveshjet e nënshkruara janë në horizontin e integrimeve në BE, i cili është fati ynë. Sa më të integruar bëhemi aq më mirë do të jetë për qytetarët.
E mirëpresim këtë diskutim për të vlerësuar bashkëpunimin tonë ekonomik të deritanishëm dhe për të shqyrtuar mundësi dhe shtigje të reja, për tregje të reja e kapacitete të zgjeruara”, – theksoi Kurti.

Eunews.al

Comments are closed.