×
Thursday, September 23, 2021

Kur Bashkimi Sovjetik planifikoi në vitet 1960 të pushtonte Francën brenda një jave

July 26, 2021

Nga Michael Peck

“National Interest”

Nazistët e pushtuan Francën brenda 6 javësh, në një nga fitoret ushtarake më spektakolare të historisë. Nëse Bashkimi Sovjetik do të ishte futur në luftë me Perëndimin në fillim të viteve 1960, ai gjithashtu kishte planifikuar një sulm rrufe ndaj Francës.

Por ndryshe nga gjermanët, sovjetikët planifikuan ta realizonin pushtimin brenda një jave. Kjo sipas planit të luftës të Traktatit të Varshavës të vitit 1964, të zbuluar në arkivat ushtarake të ish-Çekosllovakisë. A ishte ky një shembull i fuqisë ushtarake apo i megalomanisë ushtarake?

Për një sistem që pretendonte të mos besonte tek Zoti, plani sovjetik nuk dukej se shpresonte tek mrekullia. Thënë shkurt, sovjetikët dhe aleatët e tyre të Evropës Lindore duhej të nisnin sulmin e tyre nga Çekosllovakia, të kalonin nëpër Gjermaninë Jugore, të kalonin lumin Rin dhe pastaj të pushtonin Francën e Jugut.

Pushtimi do të realizohej në rreth 7 ditë, ose aq kohë sa iu desh Zotit për të krijuar Tokën. Madje edhe Ai kishte nevojë të pushonte në fund. Plani sovjetik ishte gati po aq ambicioz.

Ai kërkonte që Ushtria e Parë dhe e Katërt Çeke të sulmonin kufirin franko-gjerman, ndërsa Ushtria e Tetë Sovjetike do të përparonte në krahun e tyre verior, ndërsa hungarezët në krahun e tyre jugor.

Paratrupat do të pushtonin vendkalimet mbi lumenjtë Nekar dhe Rin. Tanket e Paktit të Varshavës dhe këmbësoria e mekanizuar pritej të udhëtonin rreth 1126 km nga Çekosllovakia në Bezanson, rreth 240 km në verilindje të Lionit. Nga atje, sovjetikët mund të depërtonin për në veri drejt Paris dhe në portet e Kanalit të La Manshit, ose në jug në portet mesdhetare si Marseja.

Po kjo do të kërkonte që Ushtria e Kuqe të udhëtonte rreth 96 km në ditë. Sa për krahasim një nga përparimet më të shpejta në histori u krye nga Afrika Korps e gjeneralit të famshëm gjerman Ervin Romel në qershor 1942, kur njësitë e mekanizuara gjermane shpartalluan Ushtrinë e Tetë Britanike dhe përparuan 560 km brenda 10 ditësh, ose 56 km në ditë.

Edhe gjatë Blitzkrieg-ut gjerman të vitit 1940 që e shpartalloi Francën, Divizioni i 7-të i Panzerave përparoi vetëm 135 km brenda pesë ditësh. Pengesat për zbatimin e këtij plani ishin të mëdha.

Strategët ushtarakë në Moskë llogarisnin barazi, ose ndoshta një epërsi të lehtë numerike mbi forcat e NATO-s. Ndërkohë sovjetikët dhe çekët duhej të kapërcenin një mori lumenjsh, kodrash dhe qytetesh.

Ndoshta forcat ajrore të NATO-s do të kishin qenë shumë të zëna në Gjermaninë Veriore dhe Qendrore, duke mos pasur mundësi të ndërhynin në jug. Por Traktatit të Varshavës, do t’i kishte munguar më gjasë epërsia ajrore, dhe mbështetja ajrore që kishin gjermanët në 1940.

Sidoqoftë, sovjetikët e bazonin planin e tyre në një armë që Romeli nuk e kishte. Blitzkrieg-u i Kuq do të niste me një sulm me armë bërthamore që në fillim të luftës. Sipas planit të luftës “operacioni do të kërkojë përdorimin e 131 raketave dhe bomba bërthamore; konkretisht 96 raketa dhe 35 bomba bërthamore”.

“Sulmi i parë bërthamor do të përdorë 41 raketa dhe bomba bërthamore. Sulmi fillestar do të kërkojë përdorimin e 29 raketave dhe bomba bërthamore. Më pas mund të përdoren 49 raketa dhe bomba bërthamore. 12 raketa dhe bomba bërthamore duhet të qëndrojnë në rezervën e frontit”- theksohej në plan.

A mund të funksiononte? Sigurisht, nëse gjithçka do të funksiononte në mënyrë të përsosur. Pra nëse Korpusi i Shtatë i SHBA-së, Korpusi i Dytë i Gjermanisë Perëndimore dhe Ushtria e Parë Franceze nuk do të mund ta ndalnin përparimin e sovjetikëve, ose të paktën ta vononin atë derisa të vinin përforcimet dhe rezervat.

Ose nëse një peizazh i mbushur me kratere bërthamore dhe plot rrezatim si nga armët e NATO po ashtu edhe ato sovjetike, nuk do të pengonte përparimin e trupave të kuqe dhe furnizimet në prapavijë. Ose, nëse nuk do të kishin ndodhur kurrë 1001 e probleme të tjera,që shoqërojnë zakonisht çdo plan ushtarak.

Franca sapo kishte testuar armën e saj të parë bërthamore në vitin 1960, dhe në vitin 1964 Forca Ajrore Franceze nisi t’i pajisje avionët bombardues me këtë armë të tmerrshme. Ndoshta kërcënimi i një hakmarrjeje bërthamore sovjetike do ta kishte penguar Parisin që të bombardonte Moskën.

Ndërkohë mendimi për të duruar një pushtim tjetër – këtë herë komunist dhe jo fashist – mund të ketë nxitur një përgjigje të tipit “Më mirë të vdekur sesa nën sundimin e të kuqve”. Sido që të jetë, Evropa Perëndimore do të katandisej në nrrënojat bërthamore. Ose siç do të thoshin francezët “C’est magnifique, mais ce n’est pas la guerre: C’est de la folie”. Është madhështore, por kjo nuk është luftë, është një çmenduri. 

Eunews.al

Comments are closed.