×
Saturday, July 31, 2021

Ku ka gabuar SHBA-ja me Kubën komuniste?

July 21, 2021

Nga Benjamin Waddel

Të dielën e 11 korrikut, kubanët në mbarë vendin dolën në rrugë për protestuar në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj varfërisë sistematike, urisë dhe qeverisjes prej dekadash me një parti të vetme, Partinë Komuniste.

“Kjo është protesta më e madhe popullore kundër qeverisë që kemi parë në Kubë që nga viti 1959”- raportoi aktivistja kubane dhe historiania e artit Karolina Barrero për “The New York Times” përmes mesazheve me tekst. Presidenti amerikan Xho Bajden nxitoi të shprehte solidaritetin e tij me protestuesit përmes një njoftimi zyrtar për shtyp:“Ne qëndrojmë përkrah popullit kuban dhe thirrjes së tij të qartë për liri dhe lehtësim nga barra e rëndë që ka shkaktuar pandemia,si dhe nga dekadat e shtypjes dhe vuajtjeve ekonomike,që kanë përjetuar nga regjimi autoritar i Kubës”.

Të enjten e shkuar, ai lëshoi një deklaratë tjetër duke e quajtur Kubën një “shtet të dështuar”. Por ajo që nuk përmendi Bajden, është fakti se disa nga arkitektët kryesorë të Kubës së sotme janë politikë-bërës amerikanë si ai.

Gjatë një konference për mediat më 12 korrik, presidenti kuban Migel Diaz-Kanel akuzoi Shtetet e Bashkuara për zbatimin e “një politike të asfiksimit ekonomik të vendit” me synim provokimin e “trazirave sociale, keqkuptimeve dhe pakënaqësive”. Dhe historia e mbështet pretendimin e tij.

Më 19 Tetor 1960 – pa kaluar as 2 vjet nga triumfi i revolucionit – SHBA-ja nisi embargon tregtare më të gjatë në historinë moderne, duke e ndalur tërësisht tregtinë me Kubën. Sipas një memoje të Departamentit të Shtetit, synimi ishte bllokimi i futjes së “parave dhe furnizimeve në Kubë, për të ulur pagat, për të shkaktuar uri të popullatës, dëshpërim dhe në fund përmbysjen e qeverisë komuniste”.

Më shumë se 60 vjet më vonë, profecia vetë-përmbushëse e Uashingtonit mund të realizohet më në fund. Por kjo gjë do të ndodhë me koston e mijëra jetëve, një krize ekonomike të thellë dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit të një kombi të tërë.

Unë kam shkuar disa herë në Kubë midis viteve 2015-2017, dhe ajo që më ra menjëherë në sy ishin ndikimet e dukshme të embargos, përfshirë ndërtesat e rrënuara koloniale, dyqanet me raftet e boshatisura, farmacitë me shumë pak ilaçe në dispozicion, me gratë e reja që prostituonin nëpër trotuarë për të ushqyer familjet e tyre, dhe me makina të vjetra të pajisura me motorë të modelit më të ri.

Siç më tha udhërrëfyesi Havier Huerta gjatë udhëtimit tim të parë në ishull në vitin 2015:“Jeta në Kubë është shumë e vështirë. Duhet një imagjinatë e madhe dhe një tolerancë e lartë për vuajtjet. Por nuk duhej të ishte kështu!”.

Havier ishte një mësues krenar i historisë, i kthyer në guidë për turistët. Ai ishte i apasionuar pas së kaluarës së kombit të tij, por e urrente idenë e informimit të turistëve të painformuar rreth ishullit. “Kur lindi fëmija im i parë, e kuptova se nuk kisha asnjë para.

Dhe turizmi është sektori më fitimprurës këtu. Shumica supozojnë, se meqenëse se na mungon pasuria materiale, ne e urrejmë qeverinë tonë. Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Revolucioni solli mundësi reale për klasën punëtore. Ajo që e ka ndërlikuar jetën tonë janë sulmet terroriste dhe bllokada ekonomike”- më tha Havier gjatë udhëtimit me autobus që shkonte në Santa Klara, ku kishim planifikuar të vizitonim varrin e Çe Gevarës.

Në vitin 2017, unë vizitova muzeun“Memorial de La Denuncia”në Havanë, që ndodhet në godinën e dikurshme të Ministrisë së Brendshme. Muzeu nderon kujtimin e më shumë se 3.000 kubanëve që kanë humbur jetën nga sulmet terroriste, shumë prej të cilëve u financuan nga SHBA.

Në katin e sipërm të muzeut lexova për anijen franceze “La Coubre”, që u nis në vitin 1960 nga Evropa me 76 ton municione belge. Sipas drejtuesve të muzeut, CIA e manipuloi anijen me eksploziv para se të kalonte Atlantikun.

Me të mbërritur në portin e Havanës, agjentët e fshehtë dyshohet se shkaktuan një seri shpërthimesh të vogla për të joshur ardhjen e sa më shumë njerëz në bord. Kur anija ishte e mbushur me njerëz, agjentët shpërthyen eksplozivët e mbetur, duke provokuar një shpërthim të madh që vrau 101 njerëz dhe plagosi 200 të tjerë.

Një ditë pas shpërthimit, Fidel Kastro iu drejtua mijëra të pranishmëve në ceremoninë funebre në La Havana. Gjatë fjalës së tij ai ngriti zërin “Atdheu ose vdekja!”.SHBA vazhdon që ta mohojë përfshirjen në shpërthimin e “La Coubre”, dhe nuk ka ende prova shteruese për këtë lidhje të pretenduar.

Por në sytë e shumicës së kubanëve, akuzat janë të besueshme për faktin se ai sulm pasqyron një histori të gjatë të ndërhyrjes amerikane, përfshirë provokimet për luftë dhe atentatet e  shumta ndaj Fidel Kastros. Në mesin e 3.000 kryqeve, përfaqësoheshin edhe 161 kubanët që u vranë në pushtimin e dështuar të presidentit Xhon Kenendi në Gjirin e Derrave në vitin 1961, që çimentoi perceptimin në ishull se agresioni i SHBA-së nuk kishte të bënte me atë që ishte më e mira për kubanët e zakonshëm.

Disa ditë më vonë, Çe Gevara mori pjesë në konferencën e Organizatës së Shteteve Amerikane në Uruguaj. Atje ai i dha një shënim sekretarit të Kenedit ku thuhej. “Faleminderit për operacionin në Gjirin e Derrave. Para pushtimit, revolucioni ishte i dobët. Tani ai është më i fortë se kurrë më parë”.

Dhe studimet empirike e konfirmojnë deklaratën e Çe. Në vitin 2017, dy studiues analizuan ndikimin e ndërhyrjes amerikane tek të drejtat e njeriut në 144 vende të botës midis viteve 1975-2005. Ata zbuluan se ndërhyrja ekonomike dhe ushtarake është joefektive në sabotimin e regjimeve autoritare.

Studimi i tyre mbështet konceptin se ndërhyrja e huaj vetëm sa e legjitimon retorikën anti-imperialiste, dhe nga ana tjetër e lehtëson aftësinë e liderëve autoritarë si Fidel Kastro për të mbledhur mbështetës kundër një armiku të përbashkët.

Ne nuk do ta dimë kurrë se si do të ishte një Kubë pa ndërhyrjen e SHBA-së, por kostoja e vërtetë e bllokadës së SHBA-së nuk ka qenë kurrë më e qartë sesa tani. Kombet e Bashkuara, të cilat që nga viti 1992 i kanë bërë thirrje SHBA-së për t’i dhënë fund embargos, vlerësojnë se kjo politikë i ka kushtuar vendit mbi 130 miliardë dollarë gjatë 6 dekadave.

Sot, 1.5 milion Kubanë – ose  13 për qind e popullsisë së vendit – jetojnë jashtë vendit. Menjëherë pas revolucionit, shumë kubanë u larguan për arsye politike, por tani kriza e emigracionit në Kubë i ka rrënjët tek ekonomia e dobët. Paratë që dërgojnë në shtëpi emigrantët kubanë ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë kombëtare, por kufizimet e kaluara gjatë presidencës Trump, e reduktuan në mënyrë drastike rrjedhën e tyre, duke dëmtuar më tej vendin.

Nga ana tjetër, pandemia globale e ka gjunjëzuar ekonominë tashmë të brishtë të kombit, dhe ajo mund të jetë pika e fundit që mund të derdhë gotën. Krahas një krize ushqimore dhe një valë të re të emigrimit, protestat e mëdha në rrugë po testojnë në mënyrë të papredecentë vendosmërinë e Partisë Komuniste.

Sigurisht, keq–menaxhimi ekonomik dhe korrupsioni brenda Partisë Komuniste ka kontribuar shumë tek problemet me të cilat përballet sot Kuba. Por nëse Diaz-Kanel dhe qeveria e tij i mbijetojnë kësaj sprove, unë besoj se kjo do të jetë rezultat i historisë së gjatë të ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në punët e brendshme të Kubës.

Siç e theksoi Havier herën e fundit që e takova:“Bllokada e lejon qeverinë tonë të fajësojë politikën amerikane për mangësitë e veta”. Dhe për sa kohë që kjo është e vërtetë, Partia Komuniste mund të vazhdojë të përballet me sfidat e mëdha dhe të qëndrojë në pushtet./“The Week”

Eunews.al

Comments are closed.