Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas mbledhjes së grupit:
Unë mendoj që opozita është e para që duhet të reflektojë sa i përket qasjes që duhet të kemi të gjithë në kuvendin e Shqipërisë. kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë të zgjedhur nga populli dhe secili prej nesh përpara urdhrave politikë i duhet t’i bindet interesit të Shqipërisë sot. Jemi në një moment vendimtar sa i përket rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Synimi ynë është të përmbyllim bisedimet për anëtarësim brenda vitit 2027 dhe të përmbyllim procesin e plotë, pastaj të ratifikimit të marrëveshjes së anëtarësimit dhe anëtarësimin brenda këtij dhjetëvjeçari, pra brenda vitit 2030. E para në këtë këndvështrim. Dua të jem shumë i qartë sot me publikun, radhë të parë. Sa i përket pozicionit tonë, një pozicion që ua kanë bërë me dije edhe kolegëve të Partisë Demokratike në konferencë kryetarësh apo edhe në komunikime të tjera jopublike. Se kushte, kërcënime, shantazhime me histori komisionesh apo votimesh në Kuvendin e Shqipërisë ndaj Partisë Socialiste, ndaj grupit të saj parlamentar, nuk ka. Me historinë që ne ikim, ne s’vijmë, ne s’votojmë. Ata të shohin punën e vet, ne do shohim punën tonë.
Për t’u rikthyer te përgjigjja e pyetjes suaj, ne do të presim reflektim nga ana e tyre. Është një vendim emocional i mirëkuptueshëm në kushtet e javës së kaluar, por besoj që emocionet do t’u kalojnë edhe pas gjelit të detit dhe bakllavasë. Dhe në janar, por për shkak të mbylljes së sesionit, në fillimin e sesionit të ri, t’i rikthehen punës. Në rast se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, po e them sot: ata e prishin dakordësinë për të mos marrë pjesë në komisione, ne e prishim dakordësinë për të ndryshuar shumicën në të dy komisionet. Në rast se ata mendojnë që mund të marrin peng komisionet, për shkak se komisionet janë bipartizane me barazi mes pakicës dhe shumicës, atëherë ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve, të cilët kanë caktuar se kush është shumica dhe kush është pakica. Pakica nuk e merr dot peng nevojën e reformës, ndërkohë që gatishmëria jonë për t’u ulur me opozitën për çdo çështje mbetet e njëjtë.
Mbajeni mend se ju jeni edhe memoria, për shkak të detyrës së vyer që kryeni si gazetarë, si media. Këtu kemi qenë në shtator, kur unë kam komunikuar bashkë me ju dhe përmes jush, përmes kamerave tuaja, përmes mikrofonave tuaj, kam komunikuar me opozitën dhe kam thënë: hajde ulemi të zgjedhim Avokatin e Popullit. Jemi plotësisht të gatshëm të vijmë. Përgjigjja, po përmes kamerave tuaja, ka qenë: ne nuk ulemi me ju. Nuk uleni me ne? Ne zgjodhëm kandidatin që sollët ju.
Pyetje: Zoti Balla, pse është me rëndësi ngritja e një komisioni etike brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste?
Balla: Muhamed, nuk e keni marrë vesh tamam. Mbledhja e grupit ka pasur disa çështje në rendin e ditës. Një prej çështjeve në rendin e ditës ka qenë një prezantim në vijim të një komunikimi publik në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të 11 shtatorit, nga kryetari i partisë. Ishte caktuar një kolege Ministrja Pirdeni për të prezantuar një draft, pra një projekt, të ngritjes dhe funksionimit të një komisioni etike në Partinë Socialiste, jo në grupin parlamentar. Grupi parlamentar është një prej institucioneve që përbëjnë Partinë Socialiste. Sot është prezantuar një projekt i parë i qëllimeve, i funksionimit dhe i mënyrës së funksionimit të një komisioni etike, i cili ndërlidhet shumë me atë që kryetari Rama ka prezantuar si një prej hapave të rëndësishëm që do të hedhim gjatë këtij mandati të katërt, dhe që ka të bëjë me një goditje të çdo lloj forme të emërimeve nepotike, që vijnë edhe me një mbulesë, pse jo, partiake.
Ky është mandat historik. Shqiptarët na kanë besuar më 11 maj mandatin më të fortë, por edhe na kanë treguar se si duhet të sillemi me këtë mandat.
Dhe prandaj krijimi i një vije etike, një ndarje etike mes të qenurit po marr shembullin; unë jam një deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste, duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë ata që janë rrethi familjar i imi që nuk kanë punë me administratën publike. Fatmirësisht nuk e kanë këtë hall por kushdo që e ka këtë hall duhet të shkëputet nga ky hall.
Pyetje: Në këtë situatë a dështon ligji i financimit të partive që duhet të përmbyllej brenda dhjetorit?
Balla: Elja falemiderit. Ky është një proces ku ndërlidhja dhe afatet dhe sugjerimet, komunikimet që vijnë nga komisioni europian janë një detyrë shtëpie e pazëvendësueshme. Në rastin në fjalë na është komunikuar që ky interim benchmark pra ky kushtëzim mund të plotësohet deri në fund të janarit apo shkurt kështu që kemi dhe pak kohë.
Pyetje: Z.Balla kemi dhe disa ndryshime të tjera të cilat janë detyrim nga BE ku vetë mazhoranca ka thënë se duhet të kryhen brenda këtij viti, flas për ndryshimet në Kodin Penal, duke iu referuar edhe asaj çfarë tha kryeministri dje për shpërdorimin e detyrës. Kur pritet të miratohet dhe a është në këto ndryshime heqja e shpërdorimit të detyrës si vepër penale?
Balla: E para është që keni një draft që ka ardhur nga qeveria i cili është siç jam informuar nga kryetarët e komisioneve sot po diskutohet në komisione siç ka ardhur drafti nga qeveria. Gjithçka që ju thoni nuk ndërlidhet me këtë diskutim me variantin që ka ardhur nga qeveria po të them të drejtën nuk di sa do e arrijnë komisionet që ta mbyllin sot dhe nesër për të qenë gati për seancë.
Ndërhyrje: shpërdorimi i detyrës a do të jetë?
Balla: Lexojeni draftin. Ke një draft nga qeveria, po diskutohet drafti nga qeveria.
Pyetje: Dje kryeministri në komunikimin e tij në media sociale kryeministri tha se lind nevoja për situatën ku ndodhet tani drejtësia për një dialog gjithëpërfshirës me gjithë aktorët sa i takon ndryshimeve të mundshme në funksnioninm e institucioneve të drejtësisë. Do jetë kjo prioriteti punës në grupin parlamentar të PS. Do të jetë një propozim nga ju në nisje të vitit të ardhshëm?
Balla: Dëgjoni. Në kuvendin e Shqipërisë nga vetë institucionet e drejtësisë kanë ardhur kohë pas kohe muaj pas muaji shumë propozime. Një pjesë e tyre janë reflektuar në dy ndërhyrje që janë propozuar me nisëm deputeti por që kanë në bazë këto propozime të cilat janë konsultuar dhe kanë marrë edhe konfirmimin nga ana e Komsionit Europian, një konfirmim të parë. Mos harroni asnjëherë që sa i përket ndërveprimit me BE ndodh në çdo hap ora që në momentin e depozitimit të amendamenteve p.sh deri në votimin përfundimtar. Dhe ajo që ka bërë sot, se pashë nganjëherë ndodh shpesh që atë që thotë në ligjëratë të drejtë kryeministri apo ndonjëri prej nesh nuk del qartë në media. Mirë është që ata që ua thonë t’ua thonë fiks ashtu siç thuhet. Pra duhet të kuptojmë që në fazën në të cilën është Shqipëria jemi të detyruar që t’i qëndrojmë strikt rekomandimeve që vijnë nga Komisioni Europian, pra, për shembull edhe variantin e këtyre dy ligjeve, ose në rastin e këtyre dy ligjeve, duhet t’ju them që edhe varianti përfundimtar që kalon në komision duhet të marrë një konfirmim nga Komisioni Europian për të kaluar në seancë për t’u votuar. Kështu që, në këtë këndvështrim, për të qenë korrekt me përgjigjen e pyetjes suaj, të gjitha institucionet vetë sjellin sepse ato janë ato që zbatojnë ligjin dhe ai që zbaton ligjin është i pari që sheh që ka mosfunksionalitete ose nevoja për përmirësime.
Pyetje: Avokati i Popullit, pasi ka qenë Avokat i Popullit çështja që nxiti Partia Demokratike, konkretisht zoti Berisha, që të njoftonte edhe mundësinë e tërheqjes nga dy komisionet parlamentare. Pse votuat Endri Shabanin, edhe pse e patë atë si figurën më të përshtatshme mes pesë kandidaturave të tjera?
Balla: Unë i uroj suksese Avokatit të ri të Popullit ditën e enjte. Zoti Shabani, siç e përcakton edhe rregullorja dhe Kushtetuta, duhet të paraqitet në seancën plenare të Kuvendit për të kryer betimin, të betohet mbi Kushtetutë, për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë. Besoj që ndajmë të gjithë vlerësimin që Endri Shabani është një kandidat që vjen nga opozita. Tani mendoni që 36 mandate sa ka Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mund të zgjedhin një Avokat. Populli? Nuk e zgjedhin dot as bashkë me dy grupet e tjera sa shkojnë nga 49-50 sa janë. Që të zgjidhet Avokati, duhet të zgjidhet nga ne, pra duhet të merren edhe votat tona. Ky është rasti më i mirë i zgjedhjes ndonjëherë të Avokatit të Popullit në Shqipëri. Kanë ardhur gjashtë kandidatura nga opozita dhe hynë të gjashta në votim dhe u zgjodh njëra prej tyre, fiks siç e propozuan edhe vetë partitë e opozitës.
Ndërhyrje: në kundërshtim të plotë me atë se çfarë keni thënë ju, zoti Balla, që nuk duam një Avokat Populli politik. Zoti Shabani ka qenë kryetar i një partie politike, i cili dha dorëheqjen vetëm për të garuar si Avokat i Popullit.
Balla: E para duhet të jesh korrekte kur ve diçka në gojën tim. Unë kam thënë që nuk do të jetë i Partisë Socialiste. Pra, unë kam thënë si sot dy javë, merreni. Dhe kam thënë që ne do të votojmë një prej kandidaturave që do të sjellë opozita. Kështu që ne votuam kandidatin që solli opozita dhe fakti që këta po hahen, po grinden me njëri-tjetrin, tregon që fajin e kanë vetë.
Pyetje: ish-aleati i tij Lapaj ka akuzuar për pazar me mazhorancën dhe me Partinë Demokratike. Si i përgjigjeni?
Balla: këtij nuk i hap kurrë përgjigje.
Pyetje: A ka një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për Avokatin e Popullit që prek ndoshta edhe reformat, një marrëveshje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Endri Shabanin si Avokat Populli, pra u jepet Shabani, por do bëni lëshime te dy reformat?
Balla: Po të vijmë, pra, të vijnë edhe ata dhe thonë se këta po ikin nga reformat. Pyetja juaj e ka marrë përgjigjen. Fakti që këta nuk po vijnë reformat tregon që s’ka një marrëveshje. Reforma pa bashkëpunim nuk ka . Ti thua hajde martohemi, por mos flemë bashkë.
Nuk ka marrëveshje për këtë, rrini të qetë.
Ndërhyrje: por besoj edhe po të kishte nuk do na e thonit publikisht.
Balla: Unë, ju e dini që bashkëpunimin me ju e kam të shenjtë,
Ndërhyrje: Bashkëpunim më të mirë se firmat e PD-së dhe votat e PS-së besoj nuk ka, zoti Balla..
Balla: ja Esiona e dha edhe përgjigjen e pyetjes së fundit. Gëzuar festat. Faleminderit.







