Kryesimi i BE-së/ Ambasadori Zingraf: Gjermania në krah të Shqipërisë me fjalë dhe me vepra



“Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë me fjalë dhe me vepra. Pres me gëzim gjashtë muaj intensivë “, deklaroi sot ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf ku paraqiti përparësitë e Kryesisë gjermane të Këshillit të BE-së.
“Sot, më 1 korrik, Gjermania merr përsipër për një periudhë 6-mujore kryesinë e radhës së Këshillit Europian. Në rolin e motorrit dhe moderatorit ne dëshirojmë, që së bashku me institucionet europiane dhe shtetet e tjera anëtare të forcojmë Europën e ta çojmë përpara atë”, tha ai, ndërsa në ambientet e Shtëpisë së Europës në Tiranë u zhvillua akti simbolik i kalimit të presidencës së Këshillit të BE-së të Gjermanisë nga Kroacia.
Ambasadori Zingraf falënderoi kolegun e tij kroat, Ambasadorin Zlatko Kramarić për presidencën e suksesshme në kushtet e vështira të Coronës. Nën kryesinë kroate Këshilli ra dakord për t’i thënë “Po” nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Samiti i Zagrebit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte një moment i rëndësishëm reflektimi dhe fokusimi për Evropën dhe rajonin në kulmin e krizës së Coronës.
Së bashku me drejtuesin e Delegacionit të BE-së, Ambasadorin Luigi Soreca, Kramarić dhe Zingraf kthyen vështrimin në mbështetjen e dhënë deri më tani nga Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare për Shqipërinë për t’i bërë ballë krizës së Coronës. Ata ndanë vlerësimin, që zbatimi i programit të reformave në Shqipëri do të përgatisë rrugën drejt Konferencës së Parë të anëtarësimit.
Duke paraqitur prioritetet e Kryesisë gjermane të Këshillit të BE-së, Zingraf tha se “temë qendrore e presidencës sonë duhet të jetë përballimi i krizës së virusit Corona. Kancelarja Federale ka thënë që kjo krizë është sfida më e madhe e Europës që prej fillimit të historisë së saj. Objektivi ynë në këtë kontekst duhet të jetë për ta nxjerrë Evropën prej kësaj krize më të pavarur dhe solidare. Vetëm duke vepruar bashkarisht në mënyrë të koordinuar dhe të vendosur do të mund të mpakim pasojat sociale dhe ekonomike të krizës. Pikërisht në këtë kohë të vështirë Europa duhet të qëndrojë e bashkuar. Një Bashkim Europian i fortë është në interes të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. BE dhe shtetet e tij anëtare e kanë mbështetur tanimë Shqipërinë dhe rajonin në përballimin e krizës, ndër të tjera përmes dërgimit masiv të instrumentave mjekësore ndihmëse apo përmes mbështetjes së grupeve vulnerable. Por ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë dhe rajonin edhe në terma afatgjatë në funksion të zbutjes së pasojave ekonomike dhe sociale”, u shpreh Zingraf.
Por, shtoi ambasadori gjerman, “presidenca jonë nuk do të jetë vetëm një presidencë e Coronës. Bashkimin Europian e presin shumë detyra, për zgjidhjen e të cilave Presidenca Gjermane dëshiron të japë një kontribut vendimtar. Kështu ne do të përmbyllim jo vetëm krijimin e Fondit të Ringritjes prej Coronës, por edhe planifikimin buxhetor afatgjatë të BE-së. E përtej kësaj, ne duam të formësojmë më tej Europën, dhe megjithë krizën e Coronës, dëshirojmë të hedhim piketa qendrore për kontinentin tonë, qoftë në për konsolidimin e pavarësisë digjitale dhe teknologjike, qoftë në dakordësimin e objektivave ambicioze në mbrojtje të klimës, qoftë edhe në funksion të përforcimit të vlerave bazë, sikundër është shteti ligjor, edhe brenda vetë Unionit”.
“Pjesë e të ardhmes së Europës është edhe perspektiva europiane e Shqipërisë dhe rajonit. Dhe ne dëshirojmë ta nxisim më tej këtë perspektivë në kuadër të presidencës sonë si motorr dhe moderator i saj. Më gëzon fakti që Presidenca jonë ka qëlluar të jetë pas marrjes së vendimit nga ana e Këshillit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Kushtet e formuluara formalisht, të cilat ishin të parapërcaktuara edhe në vendimin e Bundestag-ut janë cilësuar në vend si një udhërrëfyes për kalendarin shqiptar të reformave. Unë uroj shumë që institucionet shqiptare t’i venë vetes objektiva ambicioze në zbatim të këtyre reformave. Në mënyrë të veçantë kushtet, që duhen përmbushur përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit, janë thelbësore për vendin dhe do të duhej të ishin të zbatueshme në një periudhë të afërt kohore”, përfundoi Zingraf.
Eunews.al

