Kryeministri Rama: Bujtina në Ardenicë, vendpushim i shkëlqyer mes atraksioneve të zonës
Në kodrat e bukura të Ardenicës, pak më shumë se një orë nga Tirana, ndodhet bujtina “Ardenica Butik Hotel”.
Kryeministri, Edi Rama ndau sot pamje nga kjo bujtinë, e cila falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes AZHBR, është kthyer në një vendpushim të shkëlqyer.
“Pak më shumë se një orë nga Tirana, në kodrat e bukura të Ardenicës, nga ku mund të ngopësh sytë me hapësirën e pafundme të fushave të blerta të Myzeqesë, ndodhet kjo bujtinë e nisur vite më parë si një biznes i vogël familjar, që sot falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes AZHBR, është kthyer në një vendpushim të shkëlqyer me emrin Ardenica Butik Hotel, mu në mes të atraksioneve të shumta të krejt zonës nga Manastiri magjepsës i Ardenicës e deri tek Apolonia antike disa hapa më tutje”, theksoi Rama.
Qeveria shqiptare në mandatin e tretë të saj synon të rrisë më tepër mbështetjen për qytetarët që do të kthejnë shtëpinë e tyre në bujtinë. Për çdo emigrant që kthehet dhe investon në shtëpinë e prindërve apo gjyshërve të tij qeveria do të japë një grant prej 5 mijë euro.