Kryediplomatja bullgare: Fqinjësia e mirë, avantazhi kryesor i Procesit të Berlinit
Panel diskutimi i fundit në kuadër të Think Tank forumit treditor që po mbahet në Shkup u fokusua në lidhshmërinë, konvergjencën ekonomike dhe mjedisin.
Gjatë panelit, fjalime kishin ministrja e Punëve të Jashtme të Bullbarisë, Ekaterina Zakharieva; ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç; zv/drejtoresha për Marrëdhënie të Jashtme pranë Këshillit Evropian, Vessela Tcherneva; përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Thomas Hagleitner; kryetarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për rajonin e Evropës Juglindore, Maja Handjiska-Trendafilova; si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Kryediplomatja bullgare Ekaterina Zakharieva gjatë fjalimit të saj tha se vendet e Ballkanit janë shumë të preokupuara me të kaluarën, duke shtuar se kjo ka pamundësuar vendimet e përbashkëta.
“Është mirë që ne jemi ulur së bashku dhe diskutojmë për të ardhmen, por mendoj se avantazhi kryesor i Procesit të Berlinit është pjesa e fqinjësisë së mirë. Përmes arsimit dhe përmes lidhshmërisë kryesisht në mesin e të rinjve, mendoni më shumë për të ardhmen, mos u fokusoni aq shumë në të kaluarën”, tha Zakharieva.
– Kryediplomati i Malit të Zi: Ne jemi pjesë e Evropës
Kryediplomati i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, tha se BE dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë për inkuadrimin e tyre në BE.
“Kemi rreth 18 milionë njerëz jashtë BE-së në këto gjashtë shtete dhe nuk ka të bëjë më me zgjerimin, ka të bëjë me përfundimin e punës. Është qesharake të flasim për zgjerim, Big Bang, ne jemi pjesë e Evropës”, tha Darmanoviç.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Thomas Hagleitner, tha se është e nevojshme që të gjenden zgjidhje pragmatike për të bashkuar ekonomitë, njerëzit dhe shtetet.
“Kjo është pjesë e asaj që jemi munduar ta themi në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që Komisioni e miratoi muajin e kaluar. Kuptohet që të gjithë angazhohemi për anëtarësimin dhe perspektivën evropiane të rajonit, por në ndërkohë, ne duhet të përpiqemi të gjejmë mënyra pragmatike se si mund të bashkojmë vendet e rajonit”, tha Hagleitner.
Panelistët gjithashtu përmendën si shembull edhe koronavirusin e ri i cili është regjistruar pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, për të theksuar se zgjidhja e problemeve kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse.
Think Tank forumi me titull “Stimulimi i autonomisë strategjike, kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e përbashkët evropiane” u organizua nga instituti për demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Politikë të Jashtme.
Me takimin e përfaqësuesve të Ministrive të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, i cili mbahet pas përfundimit të forumit, do të shënohet kryesimi i përbashkët i këtij procesi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të BE-së dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.
Eunews.al