×
Tuesday, December 6, 2022

Kriza energjetike, Rama: Ballkani Perëndimor, pjesë e Ministerialit të Jashtëzakonshëm të Pragës

October 7, 2022

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Praga, ku u mbajt takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian, se ministrat e energjisë së Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në Ministerialin e Jashtëzakonshëm që do të zhvillohet në Pragë me të gjithë ministrat e Energjisë për të trajtuar çështjen e krizës energjetike si një çështje evropiane, dhe jo si një çështje thjesht e BE-së.

I pyetur në një prononcim për mediet nëse në takimin e sotëm u mor ndonjë angazhim për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të kaluar krizën energjetike, Rama u shpreh se, “lajmi i mirë është që, me kërkesën time drejtuar kryetares së Komisionit pak javë më parë, është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë, pra ministrat e Energjisë në rajonin tonë, në Ministerialin e Jashtëzakonshëm që do të zhvillohet po në Pragë me të gjithë ministrat e energjisë për të trajtuar çështjen e krizës energjetike si një çështje evropiane, dhe jo si një çështje thjesht e BE”.

“Ndërkohë që në tryezën e rrumbullakët ku unë kam qenë së bashku me kryeministrin e Holandës fokusi kryesor ka qenë pikërisht kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, do të mund të ndihmohen drejtpërdrejt. Ndërkohë që unë kam insistuar që këtu s’duhet të ketë diferenca dhe duhet të përfshihen të gjitha vendet, të 6 vendet domethënë, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse ndihma drejtpërdrejt do të thotë që ka një fond të caktuar, Rama tha se, “jo, nuk jemi në atë pikë, po jemi në një proces”.



Comments are closed.