×
Thursday, March 12, 2026

Kriza energjetike, Balluku: Ndërprerje të ndriçimit në disa akse rrugore

March 20, 2022


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një konferencë për mediat paraqiti masat e marra në vend për kufizimin e energjisë.

Ministrja tha se energjia do të ndërpritet në disa akse kryesore të vendit, si dhe ato me degëzim. Po ashtu edhe për institucione do të ketë ndërprerje pas orës 00:00.

Por nga masat e marra nuk do të preken familjarët apo dhe bizneset e vogla, për të cilët nuk do të ketë ndryshime në çmim apo ndërprerje.

Balluku tha se energjia duhet të kursehet pasi sasitë në tregjet ndërkombëtare janë të limituara.

“Duke qenë se reshje nuk do të kemi në 2 javët e ardhshme, rëndohet situata dhe do i drejtohemi importit, si rrjedhojë do të na duhet të konsumojmë sa më pak energji elektrike. Nesër është bërë kërkesë importi 17 mijë e 800 MWh energji. ARRSH në bashkëpunim me OSHEE do të marrin masat për ndërprerje në disa akse rrugore kombëtare, si Tiranë-Durrës, Qafë Kashar-Rinas, Korçë-Ersekë, Lin-Pogradec etj. Po ashtu ndërprerje do të ketë edhe në akset kombëtare në degëzim,  siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hani i Hotit. Nga këto masa nuk do të preken ato akse që cënojnë sigurinë rrugore, siç janë rrethrrotullimet. Gjithashtu edhe institucionet do të kufizojnë energjinë për ndriçime të panevojshme dhe jo të domosdoshme, duke nisur nga ora 00:00. Nga këto masa, mbrohen abonentët e tensionit të mesëm, familjarë, biznesi i mesëm, për të cilët nuk do të ketë ndryshim në çmim. Sasitë në tregjet ndërkombëtare janë të limituara, ndaj kërkojmë mirëkuptimin tuaj”, u shpreh Balluku.

“Më duhet gjithashtu të bëjë me dije se reshjet nuk do të kemi as dy javët e ardhshme, kështu që situata do të vijë duke u rënduar dhe do të drejtohemi importi, çmimet të cilat janë ngushtësisht të lidhura me çmimin e naftës dhe të gazit kudo në botë, pasi një situatë hidrike pasi është e tillë në të gjithë rajonin tonë burimi i energjisë elektrike vjen përmes termocentraleve të cilat prodhojnë nga nafta dhe gazi, të cilët ndikojnë në energjinë elektrike që shite në bursë me çmime shumë të larta. Për këtë arsye do të na duhet të konsumojmë sa më pak energji elektrike për të mos patur probleme të mëtejshme përsa i përket sasisë së energjisë elektrike në treg, jo vetëm çmimi”, tha ajo.

Balluku shtoi se, “qeveria shqiptare ka vendosur që të mbrojë abonentë familjar dhe abonentë e biznesit të vogël, sigurish mbështet edhe abonentët e lidhur në tensionin e mesëm. Nuk do të ketë asnjë ndryshim çmimesh, ne do të vazhdojmë këtë ritëm duke ju mbrojtur ju të gjithëve, por nga ana tjetër duhet kuptuar të gjithë duhet të kursej, kur nuk kemi të bëjmë vetëm me çmimin pasi ndodhemi para një fakti, ku sasitë energjetike të prodhuara në tregun ndërkombëtar janë të limituara”.

“Që të mos ndodhemi para një situate ku do duhet të bëhen ndërprerje të cilat nuk kemi dashur ti bëjmë as sot. Pra masat që ndërmarrin kanë të bëjnë vetëm me ndërprerje për sa i përket akseve kombëtare dhe institucioneve me ndërprerje me ndriçimin e jashtëm apo të brendshëm, por jo ndërprerje për qytetarët. Ndaj të gjithë së bashku për të na dhënë mundësi të ruajmë çmimin ashtu siç ka qenë dhe për të pas mundësinë t’u afrojmë të gjithë sasinë energjetike për të mbajtur shtëpitë apo bizneset tuaj, do të duhet të kursejmë”, përfundoi Balluku. 




Comments are closed.