×
Sunday, September 26, 2021

Kriza e Afganistanit: Europa duhet ta marrë seriozisht mbrojtjen e vetes

August 21, 2021

Nga Max Bergmann

Aspekti tragjik i ngjarjeve të fundit në Afganistan duhet të shërbejë si një zile alarmi për Bashkimin Evropian. Kur Shtetet e Bashkuara vendosën në mënyrë të njëanshme që t’i jepnin fund pranisë së tyre në këtë vend, Evropa nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër veçse të ndiqte shembullin e Uashingtoni.

Dhe kur Afganistani ra me shpejtësi në duart e talebanëve, gjithçka që mund të bënte BE-ja ishte të vështronte dhe të qëndronte e pafuqishme. Udhëheqësit e kontinentit nuk zotëronin mjetet për të futur forcat  tyre në Afganistan edhe nëse do të donin ta bënin këtë.

Kjo nxori në pah jo vetëm dështimet e 2 dekadave përpjekje të SHBA-së dhe NATO-s, por edhe dështimin e qasjes së aleancës pas 11 Shtatorit në raport me mbrojtjen e Evropës. Vitet e fundit në Bruksel janë zhvilluar shumë diskutime për një “Komision Evropian gjeopolitik” si dhe për një “autonomi strategjike evropiane”.

Të gjitha vendet e BE-së së bashku,shpenzojnë për mbrojtjen po aq sa Rusia dhe Kina. Megjithatë unionit i mungojnë aftësitë themelore ushtarake për të mbështetur operacionet luftarake jashtë vendit pa ndihmën e SHBA-së.

Evropa nuk ka çisterna për furnizim me karburant nga ajri,apo aftësinë e transportit ajror të nevojshëm për të vendosur forcat në vendet ku ka konflikte. Ajo nuk ka aftësitë e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit (ISR) që janë shumë të nevojshme në luftërat moderne.

Dhe as nuk zotëron logjistikën e duhur, që do të duhej të furnizojë dhe mirëmbajë forcat ushtarake. Edhe në Sahel, ku Franca drejton një forcë ushtarake të BE -së, është SHBA-ja ajo që u ka siguruar furnizimin me karburant nga ajri dhe mbështetje me aftësitë e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit.

Reduktimi i varësisë evropiane nga ushtria amerikane, mund të duket në pamje të parë i panevojshëm, pasi ky është një realitet prej mbi 75 vjetësh. Zhvillimi i këtyre aftësive është i kushtueshëm, kërkon shumë kohë, dhe kërkojnë zgjerimin e aftësive të çdo vendi evropian.

Për këtë arsye, ka pasur pak përparim në këtë front në dy dekadat e fundit.

E megjithatë, ekziston një divergjencë në rritje por e natyrshme  midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja shqetësohet me të drejtë se Evropa nuk po e merr Kinën aq seriozisht sa duhet.

Nga ana e tyre, evropianët shqetësohen me të drejtë se Uashingtoni tregon pak shqetësim për kufijtë e tyre lindorë gjithnjë e më të pasigurt. Gjatë debateve mbi tërheqjen nga Afganistani në Uashington, pak ose aspak vëmendje i është kushtuar ndikimit të mundshëm të kësaj lëvizjeje në Evropë, dhe kjo ndonëse kriza e ardhshme e refugjatëve mund të ndikojë rëndë mbi Evropën dhe forcat e saj në terren.

Evropianët kishin të drejtë të ndiheshin të shpërfillur, por një Uashington i lodhur nga lufta e dinte se kontinenti i vjetër kishte pak për të ofruar. Në rast se udhëheqësit evropianë do të kishin aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe do të ishin ofruar të merrnin përsipër misionin mbështetës, SHBA-ja do të ishte entuziaste.

Autonomia strategjike evropiane, nuk ka të bëjë me ndarjen e Evropës nga SHBA. Ajo synon që Evropa të jetë në gjendje të veprojë edhe kur Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara ta bëjnë këtë gjë.

Dhe po bëhet gjithnjë e më e lehtë të shihen cilët janë skenarët, qoftë në Lindjen e Mesme apo në Afrikën Veriore apo Perëndimore, aty ku janë të rrezikuara siguria dhe interesat e BE-së, por ku amerikanët nuk kanë asnjë interes për të vepruar.

Kjo nuk do të thotë se SHBA-ja dhe Evropa po ndahen nga njëra-tjetra, apo se NATO është një strukturë e vjetruar. Përkundrazi, kjo do të thotë se si SHBA po ashtu edhe Evropa duhet që ta rikonceptojnë partneritetin transatlantik dhe konceptin e “ndarjes së barrës”.

Për dy dekada, ndarja e barrës ka nënkuptuar kërkesën që evropianët të kontribuonin më shumë në luftërat e udhëhequra nga SHBA-ja. Sot lipset të ketë një qasje e re, të ndërtuar mbi një marrëdhënie më të balancuar, dhe ku Evropa mund të marrë herë pas here drejtimin e punëve.

Në fakt kjo do të formonte një shtyllë evropiane brenda NATO-s. Por arritja e saj do të kërkonte adresimin e problemeve strukturore masive që prekin mbrojtjen evropiane. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë do të ishte përmes BE-së, ku sovraniteti është tashmë i ndarë, dhe ku vendet anëtare mund të bashkojnë burimet, të integrojnë forcat dhe të ndërmarrin nisma strategjike “evropiane”.

Zhvillimi i një mbrojtjeje të pavarur të Bashkimit Evropian, do të ndihmonte në fuqizimin dhe forcimin e BE-së, duke i dhënë mundësi Brukselit të mbështesë më mirë interesat evropiane. Së pari, politikë-bërësit evropianë duhet të shtrojnë një pyetje të thjeshtë: Çfarë do t’i duhej BE-së për të çuar forcat e saj ushtarake në Afganistan?

Nëse hendeku kryesor është mungesa e transportit ajror, BE-ja mund të blejë avionë dhe të rekrutojë personel me përvojë nga i gjithë blloku për të krijuar një njësi të specializuar ushtarake, ashtu siç Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm rekruton diplomatë nga trupi diplomatik i vende të saj anëtare.

Zhvillimi i aftësive të BE-së do të kërkojë natyrshëm financime të reja, reforma në politikën e jashtme të unionit dhe një transformim rrënjësor të marrëdhënies BE-NATO. Gjithashtu, ky proces do të kërkojë edhe bekimin e Uashingtonit.

Por në fund të fundit, shkaku i pamjaftueshmërisë ushtarake të Evropës gjendet tek vetë unioni. Për shkak të varësisë së tij ushtarake nga SHBA-të, Uashingtoni ka një veto efektive mbi përpjekjet e BE-së për të ndërtuar ushtrinë e saj. Këtë veto SHBA-ja e ka përdorur për të kundërshtuar nismat e BE-së, dhe për të lobuar fuqishëm në emër të kompanive amerikane në fushën e mbrojtjes.

Edhe pse administrata e Joe Biden ka bërë pak për ta ndryshuar këtë qasje, ironia është se është pikërisht SHBA-ja ajo që është mërzitur me statuskuonë aktuale, edhe pse nga ana tjetër vepron me këmbëngulje për ta penguar BE-në që ta ndryshojë atë.

Për të ndryshuar këtë dinamikë, BE-së do t’i duhet të ndryshojë qasje ndaj një Uashingtoni që tanimë është më i fokusuar në Azi. Dhe për ta bërë këtë, Brukseli duhet të dalë me një propozim të prekshëm dhe ambicioz në fushën e mbrojtjes, ashtu siç ka bërë për çështjet klimatike dhe dixhitale, dhe t’i kërkojë administratës Biden që t’i miratojë ato.

Në vend se të shohin vazhdimisht nga SHBA-ja, evropianët do të kenë gjithnjë e më shumë nevojë që të shohin nga vetja. Një Amerikë e ndëshkuar në2 dekada luftë, do të jetë në mënyrë të kuptueshme ngurruese për të ndërhyrë në krizat e ardhshme, sidomos kur interesat e SHBA-së nuk preken drejtpërsëdrejti. Ka ardhur koha të bëhet realitet autonomia strategjike evropiane. Aleanca transatlantike do të jetë më e fortë edhe për shkak të saj.

Shënim: Max Bergmann është anëtar i “Center for American Progress”. Ai ka shërbyer si këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit në vitet 2011-2017. / “Politico.eu”

Eunews.al

Comments are closed.