×
Wednesday, January 19, 2022

Kovaçevski: Marrëveshja me Bullgarinë, prioritet i qeverisë së re

January 11, 2022

I mandatuari i LSDM-së për kryeministër në Maqedoninë e Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se, marrëveshja me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit për gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe heqjen e vetos për procesin e integrimit evropian, do të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re, sipas REL.

Kovaçevski paraqiti para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përbërjen e re të Qeverisë së re, e cila bazuar në deklarimet e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi pritet të votohet më 16 janar, pas debatit që do të zgjasë dy ditë, bazuar në dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë.

“Një nga prioritetet e Qeverisë që do të drejtoj është zgjidhja e pranueshme e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke ruajtur vlerat evropiane, si dhe dinjitetin e të dyja vendeve, për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian, respektivisht heqjen e vetos për mbajtjen e konferencën ndërqeveritare me BE-në pas çka Republika e Maqedonisë së Veriut edhe zyrtarisht do të shënojë nisjen e negociatave të integrimit evropian”, ka deklaruar Kovaçevski.

Si prioritete kyçe të punës së Qeverisë, Kovaçevski ka theksuar përballjen me krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, e cila, siç tha ai, është krizë energjetike evropiane.

“Prioriteti i dytë është ruajtja e standardit të jetesës së qytetarëve dhe kompanive në kushtet e krizës ekonomike, e cila vjen nga kriza energjetike. Dhe e treta është përmbushja e objektivave për sa i përket projekteve të mëdha infrastrukturore të miratuara në buxhetin e vitit 2022, si zgjidhje ligjore, të cilat janë miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në dhjetor”, ka deklaruar mandatari për kryeministër, Dimitar Kovaçevski, i cili njëherësh është kryetar i Lidhjes Social Demokrate.

Comments are closed.