Kosovë: Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit Thaçi



Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha të enjten mbrëma se “Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Në vendim thuhet më tej se “dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin 14 të nenit 84 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës.
Vendimi i sontëm i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për qeverinë e re.
Më 30 prill presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Ai e mirëpriti të enjten mbrëma vendimin e gjykatës duke bërë thirrje që “partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ambasada amerikane në Prishtinë në një komunikatë tha se “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë udhëheqësit të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, qëndrueshmërisë dhe përparimit për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërsa ka akuzuar presidentin për “krijim të vullnetit politik”, përtej përgjegjësive të tij.
Të enjten pasdite veprimtarët e kësaj lëvizjeje organizuan të enjten pasdite në sheshin qendror të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.
Eunews.al

