×
Wednesday, February 12, 2025

Kosova thirrje BE-së për kthimin e shtetasit Nezir Mehmetaj i cili po mbahet nga Serbia

July 3, 2020


Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përmes një letre, i ka bë thirrje Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, që të përdorë fuqinë diplomatike për të bindur autoritetet e Serbisë ta kthejnë në Kosovë shtetasin kosovar Nezir Mehmetaj “që po mbahet në Serbi nën akuza të rreme e të motivuara politikisht”.

Në një komunikatë për media nga ministria, bëhet e ditur se Selimi, në letrën drejtuar Apostolovas, i ka bërë thirrje të ndërmarrë veprimet e nevojshme “për të ndërprerë mundimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj qytetarëve kosovarë”.

Sipas autoriteteve kosovare, Nezir Mehmetaj është arrestuar dhe ndaluar në mënyrë të kundërligjshme nga 3 janari nën akuzat e anëtarësisë së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe akuza për vrasje të cilat supozohet se kanë ndodhur në Kosovë.

Në letër Selimi thekson se shtetasi kosovar Nezir Mehmetaj “po mbahet në mënyrë të kundërligjshme nga një vend që nuk mund t’ia garantojë atij të drejtën e tij për një gjykim të drejtë”, ndërsa sipas tij, “ky rast, si shumë të tjerë para tij, dëshmon se Serbia ndjek një drejtësi selektive përmes së cilës i maltreton qytetarët tanë me akuza të pavlefshme ndërsa pengon ndjekjen dhe dënimin e qytetarëve të vet me akuza të njëllojta”.

“Ne bëjmë thirrje që ju të përdorni fuqinë tuaj diplomatike për të bindur autoritetet e Serbisë të përdorin Marrëveshjen shumë të dobishme për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike që është nënshkruar ndërmjet vendeve tona, me mbështetjen e BE-së. Kjo Marrëveshje është përdorur në më se gjashtëqind raste tashmë midis dy vendeve tona, në ndjekje të drejtësisë në të dyja anët. Ne bëjmë thirrje që prokuroria serbe të përdorë këto mekanizma për të bashkëpunuar me prokurorinë në Kosovë për të transferuar provat dhe procedurat në Kosovë, nën lehtësimin e BE-së”, shkruan ministri kosovar.

Selimi thotë se bazuar në raportet e zyrës përfaqësuese të Kosovës në Beograd, të cilët kanë ndjekur gjykimin e Mehmetajt, “akuzat ndaj Mehmetajt tashmë janë hedhur poshtë madje edhe nga institucionet e brendshme në Serbi”, ndërsa po kështu, sipas ministrit kosovar, Ministria e Brendshme e Serbisë tashmë ka konfirmuar se “Mehmetaj nuk është i njëjti person në bazë të të cilit janë ndërtuar pretendimet për anëtarësimin e tij në UÇK”.

“Përveç pabazueshmërisë së akuzave ndaj tij, është e rëndësishme të ritheksohet që Mehmetaj nuk është shtetas i Serbisë, nuk ka lidhje personale paraprake me Serbinë dhe se ai akuzohet për krime të kryera në territorin e Kosovës, kundër qytetarëve të Kosovës. Nuk ka lidhje të mjaftueshme të çështjes së tij me Serbinë dhe, rrjedhimisht, Serbia nuk ka juridiksion të zhvillojë procedime penale kundër tij. Për këtë arsye, ne bëjmë thirrje që procedura të transferohet në Kosovë, si i vetmi vend me lidhje të vërtetë reale e personale si me viktimat, ashtu edhe me autorin e dyshuar”, shkruan tutje në letrën e njëjtë.

Në letrën dërguar në adresën e BE-së në Kosovë, Selimi thekson po ashtu se Serbia po vazhdon të pengojë gjykimin e shtetasve kosovarë në Kosovë, duke shfrytëzuar privilegjin e saj si anëtare e organizatës ndërkombëtare policore INTERPOL, “duke lëshuar fletarreste konkurruese për qytetarët e Kosovës në gjithë botën”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments