Kosova nderon me Medaljen Presidenciale për ‘Sundim të Ligjit’ djalin e ndjerë të presidentit të SHBA, Joe Biden



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dielën, ka ndarë Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur në vitin 2015 nga kanceri në tru.
Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e dhënies së Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, ka deklaruar se me ndarjen e kësaj medaljeje, Kosova njeh kontributin që ai dha për Kosovën.
“Sa i takon Beau, mund ta themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën”, deklaroi Osmani.

Sipas Osmanit, në të gjallë, Beau Biden, me punën e tij preku jetë njerëzish dhe bëri ndryshime.
“Siç është edhe shprehja ‘njerëzit e mirë janë si qiriu’. Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë. I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ndihmën që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës sa i përket lirisë dhe “të drejtës për të ekzistuar”, kalon përtej çdo partneriteti që mund të shihet në mbarë botën.
“Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur”, tha Osmani.
Biden: Vlerësimi i trashëgimisë së Beau, nder i madh
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një video-mesazhi ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden” dhe e ka falënderuar Kosovën për medaljen, të cilën e ka ndarë për të birin e tij të ndjerë.
“Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, ka thënë presidenti Biden përmes video-mesazhit.
Eunews..al

