Koronavirusi, Shqipëria nis grupin e dytë të mjekëve dhe infermierëve drejt Italisë
Një tjetër grup mjekësh dhe infermierësh nga Shqipëria janë nisur sot drejt Italisë, për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka përcjellë në Rinas dhe i ka falënderuar për gatishmërinë e tyre për t’u përgjigjur në këtë situatë. “Kontributi juaj është i vyer në këtë situatë. Është momenti të tregojmë solidaritet. Të gjithë së bashku do ia dalim”, tha Manastirliu duke iu drejtuar grupit të mjekëve e infermierëve.
Janë një grup prej 60 mjekësh dhe infermierësh të cilët do të shkojnë për të dhënë ndihmën e tyre në vendin fqinj. Pak javë më parë, Shqipëria dërgoi në Itali 30 mjekë dhe infermierë, të cilët po shërbejnë në frontin e parë të luftës kundër COVID-19 në spitalet e Breschias.
Pas grupit të parë, ky është grupi i dytë që do ndihmojë Italinë në luftën kundër COVID-19.
Mjekët dhe infermierët që do të japin kontributin e tyre në një spital në Itali, janë pjesë e 3 mijë vullnetarëve që i’u përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’u bashkuar në luftën kundër COVID-19.
Eunews.al