×
Friday, July 17, 2020

Koronavirusi, shënohen 3 viktima dhe 55 raste të reja në 24 orët e fundit

July 17, 2020

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura, në transportin publik dhe kudo ku nuk ruhet dot distancimi fizik

Dr. Flutura Beqo
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë, ku vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur nga Covid19 në Tiranë, ndërsa ka dhe raste të reja në bashkitë e tjera të vendit.

Që në fillim të këtij komunikimi, ju rikujtojmë detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura për çdo qytetar, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid19.
Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 3 qytetarë, të cilët po trajtoheshin në terapi intensive, të intubuar.
Një 52 vjeçar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59 vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve. Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz.

Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura, në transportin publik dhe kudo ku nuk ruhet dot distancimi fizik.
Higjiena dhe zbatimi i protokolleve është detyrim ligjor për çdo biznes, për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga përhapja e Covid19.

Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Coronavirusi, duhet të izoloheni, dhe të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për