×
Wednesday, September 11, 2024

“Koronavirusi nuk do të cënojë politikën e zgjerimit të BE-së”

May 8, 2020


Në një intervistë për Euronews Albania, Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi shpjegon mesazhet kyçe të Samitit të Zagrebit, ndihmën ekonomike që do të vijë për Ballkanin, dhe pritshmërinë për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda vitit. 

Ernest Bunguri: Komisioner mirëserdhët dhe faleminderit për këtë intervistë. Po e nisim me përgjigjen evropiane ndaj krizës dhe pandemisë, në nisje pak e turbullt dhe me probleme brenda vetë vendeve anëtare, gjë që krijoi dhe një farë frustrimi në rajon dhe të tjerë influencues e përdorën këtë moment. Po ku jemi tani në ndihmën që BE po i jep Ballkanit, flasim për 3.3 miliardë euro, dhe kush përfiton nga ndihmat që po vijnë dhe që do të vijnë?

Oliver Varhelyi: Siç e keni parë, ne kemi shpërndarë ndihma menjëherë pasi kriza shpërtheu këtu në Evropë. Kemi bërë më të mirën për ti sjellë ndihmat sa më shpejt mundemi. Ju e shihni që tani se pajisjet mjekësore më të rëndësishme si maskat, pajisjet mbrojtëse, ventilatorët, testet, po shpërndahen nëpër të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mendoj se kjo ishte detyra më e rëndësishme që kemi përmbushur dhe të cilën po e vijojmë.

Ndërkohë po punojmë gjithashtu për pjesën e rimëkëmbjes së ekonomisë, dhe për këtë arsye ne mobilizuam të gjitha burimet që ishin ndarë për Ballkanin, për të ndihmuar jo vetëm në luftën kundër epidemisë, por edhe për krijimin e kushteve vendore që kriza ekonomike sëbashku me atë shëndetësorë të luftohen me efikasitet.”

Ernest Bunguri: Komisioner, udhëheqësit e BE-së takohen me ata të Ballkanit 20 vjet pas Samitit simbolik të Zagrebit për perspektivën evropiane të rajonit, dhe Komisioni ka përgatitur një kontribut për këtë samit. Si do të ndryshojë marrëdhënia mes BE-së dhe rajonit, edhe për shkak të pandemisë, cilat janë mesazhet kyçe të samitit dhe çfarë ndihmash priten menjëherë pas krizës aktuale.

Oliver Varhelyi: Mendoj se do të ketë dy mesazhe kyçe nga samiti i sotëm. I pari është që ne do e luftojmë së bashku këtë pandemi, se do e luftojmë së bashku krizën ekonomike që e shoqëron dhe se qëndrojmë së bashku me Ballkanin Perëndimor. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm dhe i fortë që do ta shprehim së bashku me vendet e Ballkanit.

Mesazhi i dytë do të jetë që ne do të vijojmë me strategjinë e re të zgjerimit të Komisionit të ri. Dhe siç e kemi shpjeguar që në muajin janar kur nisëm me metodologjinë e re, elementi i tretë është krijimi i një plani madhor zhvillimi ekonomik për rajonin, për të përshpejtuar integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Dhe ky është mesazhi i dytë që shpresoj të marr sot nga Samiti në mënyrë që Komisioni të mund të vijojë punën dhe të sjellë shumë shpejt në tryezën e Këshillit dhe Parlamentit Evropian një paketë ekonomike deri në vjeshtë.

Në këtë paketë do të përqendrohemi në fushat më efikase nëpërmjet të cilave mund të nxisim ekonominë dhe të mund të rrisim rezistencën e saj, por edhe nëpërmjet të cilës mund të shpejtojmë rimëkëmbjen ekonomike pas krizës.”

Ernest Bunguri: Komisioner puna ndërkohë po vijon në përgatitjen e kuadrit të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe po presim edhe raportet vjetore të vlerësimit për dy vendet. Ku jemi dhe sa ka ndikuar pandemia në këtë proces?

Oliver Varhelyi: Unë vetë shpresoj që politika e zgjerimit është ajo politikë e këtij Komisioni që as Covid-19 nuk e hedh dot poshtë. Pra ne vijojmë palodhur punën për paketën e zgjerimit, dhe shpresojmë ta kemi gati me shpresë në qershor. Dhe në atë dokument do të bëjmë dhe propozimin për kuadrin e negociatave me të dyja vendet. Pra puna nuk ka ndalur. Ne vijojmë të punojmë me të njëjtat afate që u njoftuan që në janar.

Ernest Bunguri: Por a ka ndikuar pandemia për ngadalësimin e reformave të rëndësishme, për shembull në reformën në drejtësi në Shqipëri që po vijon, apo masa të tjera që duhen plotësuar nga vendi. E dimë që lista e kushteve për Shqipërinë është e rëndë krahasuar me Maqedoninë e Veriut, kur flasim për pritshmërinë për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare?

Oliver Varhelyi: Sigurisht që parlamentet janë në vështirësi në të gjithë Evropën. Në disa vende vijuan punën në të tjerë nuk mundën për shkak të pandemisë. Mendoj se tashmë kemi arritur pikun e krizës dhe mund ta menaxhojmë edhe përshpejtimin e punës së reformave pasi piku të ketë kaluar. Dhe ne po bisedojmë me qeverinë shqiptare me qëllimin për t’i përmbushur të gjitha kushtet. Unë mendoj dhe jam ende shpresëplotë se rezultatet do të dorëzohen shpejt, sepse ka patur tashmë një progres të madh në Shqipëri, gjë që na mundësoi dhe marrjen e dritës jeshile edhe për Shqipërinë për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Ernest Bunguri: Komisioner ky vit do të jetë i vështirë, sërish për shkak të krizës. Cilat janë pritshmërinë tuaja personale për konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për liberalizimin e vizave me Kosovën, për ecurinë e Serbisë dhe Malit të Zi. Cilat janë rezultatet që prisni gjatë këtij viti në kalendarin e zgjerimit.

Oliver Varhelyi: Unë mund të shprehem vetëm për dëshirat apo objektivat personale që i kam vënë vetes dhe kolegëve këtu. Gjëja e parë që dua të shohim është që procesi i negociatave për anëtarësim të ketë nisur, me të dyja vendet sigurisht, dhe të jetë në zhvillim e sipër. Për Serbinë dua të shoh më shumë kapituj të hapur, dhe me shpresë, brenda fundit të vitit të kemi nisur mbylljen e kapitujve. Na ka mbetur vetëm një kapitull me Malin e Zi dhe do të doja të hapej dhe ai. Me Bosnjën kemi lajme të mira që po vijnë për marrëveshje në të gjitha nivelet brenda vendit se do të përmbushin 14 prioritetet e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat. Do të punojmë me ta për ta arritur këtë gjë sa më shpejt të jetë e mundur. Aspiratat e tyre janë para fundit të këtij viti. Le ta provojmë, unë jam gati të punoj për këtë gjë. Dhe sigurisht që do të kemi një mundësi madhore që do të vijë ndoshta pas zgjedhjeve në Serbi, për të arritur një zgjidhje afatgjatë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments