×
E hënë, 30 Nëntor, 2020

Koronavirusi mund ta shkatërrojë populizmin

8 Korrik, 2020

Nga Gideon Rachman

Populistët e urrejnë të jenë jopopullorë. Është kjo arsyeja përse ata janë dëshmuar kaq të paaftë në përballimin e pandemisë së Covid-19, një krizë që nuk sjell asgjë tjetër veç lajmeve të zymta, vdekjeve, rrënimit ekonomik dhe lirive të kufizuara.

Presidenti amerikan Donald Trump, dhe ai brazilian Zhair Bolsonaro, janë 2 udhëheqësit populistë më të spikatur në botën perëndimore. Rezultatet katastrofike të qasjes së tyre ndaj koronavirusit, janë bërë tashmë më se të dukshme.

Javën e kaluar, Brazili u bë vendi i dytë në botë pas SHBA-së, që ka regjistruar më shumë se 50.000 të vdekur nga Covid-19 . Tipari dallues i qasjes Trump-Bolsonaro ndaj Covid-19, është paaftësia e tyre fatale për t’u përballur me realitetin.  Praktikisht, Trump e injoroi virusin nga janari, shkurti dhe deri në gjysmën e marsit.

Në kohë të ndryshme, ai ka deklaruar se ky virus do të zhdukej një ditë si me magji, dhe se një ilaç i mirë kundër tij mund të ishin edhe injeksionet në trup me dezinfektantë. Ndërsa numri i rasteve të reja dhe i vdekjeve vazhdon të rritet, ideja e fundit “brilante” e zotit Trump, ishte që Amerika të ndërpresë testimet, me shpresën se duke u injoruar, realiteti do të zhduket vetvetiu.

Zoti Bolsonaro, ka qenë edhe më i papërgjegjshëm. Ai e ka cilësuar Covid-19 si një ftohje të zakonshme, duke përkrahur protestat kundër masave kufizuese, dhe duke shkarkuar 2 ministra të Shëndetësisë. Tani që të dy politikanët, po paguajnë një kosto të madhe politike për paaftësinë e tyre.

Trump po renditet shumë keq në sondazhe, pikërisht kur po afrojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Edhe Bolsonaro ka përjetuar një rënie të ndjeshme të popullaritetit në sondazhe, në mesin e diskutimeve për ndërmarrjen e një impeachment-i kundër tij, dhe hetimeve për korrupsionin në rrethin e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Në Britaninë e Madhe, Boris Xhonson ka qenë më respektues ndaj mendimit shkencor mbi virusin. Por në fillim të krizës, edhe kryeministri britanik ra pre e njërës nga të metat më të mëdha në qasjen e populistëve:një dëshire të rrezikshme për të vepruar kundër lajmeve të këqija.

Ndërsa vendet e tjera evropiane u futën në karantinë, ai deklaroi se “ne jetojmë në një tokë të lirisë”, dhe e vonoi shumë ndërmarrjen e masave kundër pandemisë. Pjesërisht edhe si rezultat i kësaj, Britania ka sot numrin më të madh të të vdekurve nga Covid-19 në Evropë.

Në vetëm dy muaj, Xhonson ka kaluar nga një popullaritet rekord që gëzonte pak muaj më parë, në një vlerësim kryesisht negativ. Ndërkohë, Angela Merkel – e cila urrehet nga zoti Trump dhe shumë udhëheqës të tjerë populistë – është përballur me një krizë më të butë.

Gjermania ka sot një nga nivelet më të ulëta të vdekjeve për frymë në Evropë nga koronavirusi. Kur Xhonson protestoi në parlament javën e kaluar, se nuk ka asnjë shembull të vetëm të një vendi me një aplikacion efektiv për gjurmimin e kontakteve, udhëheqësi i opozitës Sër Keir Starmer, u përgjigj me një fjalë të vetme: Gjermania.

Kontrasti midis performancës së zonjës Merkel dhe atyre të populistëve, tregon se aftësia për të kuptuar provat, është një tipar i dobishëm për një udhëheqës. Kancelarja gjermane ka një doktoraturë në kimi. Nga ana tjetër, Trump është një sipërmarrës i pasurive të patundshme, Bolsonaro një ish-kapiten i ushtrisë, dhe Xhonson ka një diplomë të gradës së dytë në shkencat humane.

Zonja Merkel ishte në gjendje të jepte një sqarim të qetë dhe të qartë të matematikës së shkallës së infeksionit, dhe të vepronte bazuar tek ajo. Ndërkohë Trump po ankohet se SHBA-ja po kryen shumë testime. Zonja Merkel është rritur edhe në sondazhe, duke regjistruar normën më të lartë të mbështetjes popullore gjatë viteve të fundit.

Në të kundërt, alternativa populiste “Alternative for Deutschland”, tradicionalisht armiqësore me linjën e establishmentit për gjithçka, nga BE deri tek vaksinimet, ka rënë në sondazhet e fundit. Duke vëzhguar këtë model, Frensis Fukujama nga Universiteti i Stenfordit spekuloi për BBC kohët e fundit:“Epidemia e Covid-19 mund të rrëzojë nga froni populizmin”.

Metju Guduin, bashkëautor i librit “Populizmi kombëtar:Revolta kundër demokracisë liberale”, listoi kohët e fundit një zinxhir ngjarjesh plotësisht të besueshme, të cilat do të ndryshonin tonin e politikës botërore gjatë viteve të ardhshme.

Këtu përfshihet humbja elektorale e Trump, Bolsonaros dhe Xhonsonit, rizgjedhja e presidentit Emanuel Makron në Francë, dhe një rënie e mbështetjes për AfD në Gjermani. Guduin sugjeron që kjo do të thotë se “liberalizmi është rikthyer, ndërsa populizmi është duke u mundur”.

Humbja e Trumpit, do të kishte në veçanti pasoja globale – pasi ai ka shërbyer si frymëzim për “populistët kombëtarë”, përfshirë Bolsonaron, për qeveritë e Hungarisë dhe Polonisë, dhe për të djathtën radikale në Francë, Gjermani, Itali dhe gjetkë.

Liberalët kanë një arsye të forta të shpresojnë që populizmi të dalë shumë i dëmtuar nga Covid-19. Por ata nuk duhet që të festojnë para kohe. Trump ka pasur disa muaj shumë të keqij kohët  e fundit. Por perspektiva e një “lufte kulturore” në Amerikë – e përqendruar në çështje emocionale si raca dhe simbolet kombëtare – mund ta ndihmojë fushatën e tij.

Edhe forcat që e nxitën fillimisht populizmin nuk janë zhdukur. Siç e thekson Guduin, disa nga grupimet shoqërore më të joshura drejt populizmit – njerëz pa arsim universitar dhe të keq-paguar – do të goditen në mënyrë të veçantë nga një rënie ekonomike.

Pastaj ekziston mundësia që në mesin e një krize, normat e politikës demokratike të shkelen me të dyja këmbët. Donald Trump ka nervozuar tashmë shumë analistë politikë, me pohimet e tij të përsëritura se zgjedhjet e nëntorit do të manipulohen.

Bolsonaro e ka mbushur kabinetin e tij me gjeneralë, ndërsa është shprehur se ushtria do të injorojë thirrjet “absurde” për të rrëzuar një president të zgjedhur në mënyrë demokratike, një sugjerim i dukshëm se ushtria do të refuzojë të pranojë një impeachment të suksesshëm kundër tij në Kongres. Në fakt, pas pandemisë së Covid-19, populizmi mund të refuzohet nga votuesit. Por s’ka asnjë garanci, se populistët do të largohen pa zhurmë dhe rezistencë nga pushteti. / “The Financial Times” 

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për