Koronavirusi, Gjermania miraton rregulla të rrepta për mediet sociale
Qeveria gjermane miratoi sot rregulla të reja më të ashpra për të forcuar të drejtat e përdoruesve të medieve sociale.
Rregullorja përqendrohet në faqet e internetit dhe aplikacionet siç janë Facebook, Twitter dhe Instagram, të cilët në të ardhmen do të duhet të thjeshtojnë sistemin e tyre që përdoruesit të paraqesin ankesa, ndër të tjera, për shembull nëse ata bien viktima të kërcënimeve në internet dhe fushatave të urrejtjes.
Sipas ligjit aktual gjerman, të miratuar dy vjet më parë, rrjeteve të medieve sociale u kërkohet të fshijnë materialin fyes kur ky i fundit tërheq vëmendje.
Postimet që përmbajnë përmbajtje të qartë kriminale dhe propagandë terrorist duhet të fshihen brenda 24 orëve, ndërsa ankesave nga përdoruesit duhet t’u përgjigjen brenda 48 orëve.
Për më tepër, kompanitë duhet të publikojnë, dy herë në vit, një raport për mënyrën e trajtimit të ankesave.
Sipas rregullave shtesë të reja, të cilat ende duhet të miratohen nga parlamenti, nëse një postim që është raportuar nuk hiqet, përdoruesit mund të kërkojnë një vlerësim dhe shpjegim.
Ndër ndryshimet e propozuara është se rrjetet jo vetëm që duhet të fshijnë kërcënimet për vrasje, por edhe t’i raportojnë ato në Policinë Kriminale Federale (BKA).
Platformat gjithashtu do të kërkohet të zbulojnë më shpejt identitetin e shkelësve, me kusht që një gjykatë të ketë urdhëruar një veprim të tillë.
“Me këto reforma, ne po forcojmë të drejtat e përdoruesve të rrjeteve sociale”, tha Ministrja gjermane e Drejtësisë, Christine Lambrecht.
“Kushdo që ndihet i kërcënuar ose fyer në internet duhet të ketë mundësinë që ta tregojë këtë në rrjetin social në një mënyrë të thjeshtë”, tha Lambrecht.
Facebook, Twitter, Instagram dhe medie të tjera sociale do të duhet të justifikojnë vendimin e tyre për të fshirë një postim.
Eunews.al