Kongresi i PS, Rama: Mbrojmë 95% të qytetarëve, çmim tjetër energjie për 5% të konsumatorëve të pasur
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë punimeve të Kongresit të PS-së se “së shpejti do të vendosim një çmim tjetër për të gjithë ata që konsumojnë energji elektrike shumë më tepër se masa e gjerë e popullit, sepse janë më të pasur”.
Rama tha se “nuk ka asnjë gjë më normale dhe të natyrshme se sa ne të shkojmë kundër rrymës të vetë sistemit për të mos lejuar që pensionistët tanë të kenë një dhimbje koke të shtuar për shkak të faturës së energjisë”.
“5% e konsumatorëve që konsumojnë 25% të energjisë nuk mund dhe nuk do të vazhdojmë t’i mbajmë me të njëjtën përkujdesje siç bëjmë për pensionistët, familjet e mësuesve, infermierëve, punonjësve të zakonshëm në shtet apo privat, familjet fermere”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se do të vazhdojë mburoja për numrin më të madh të familjeve, për 95% të konsumatorëve të energjisë elektrike.
“Ai 5% do të duhet të marri pjesë me para në këtë përpjekje të përbashkët sepse kjo është një situatë e jashtëzakonshme ku përpjekja e jashtëzakonshme nuk i kërkohet atyre që kanë më pak, por atyre që kanë më shumë”, tha Kryeministri.
Rama shtoi se “prej muajsh para fillimit të luftës kjo qeveri ngriti një mburojë financiare për të gjitha familjet shqiptare pa përjashtim dhe bizneset e vogla që neutralizon goditjen marramendëse të rritjes së çmimit mbi faturat e energjisë elektrike”.
“Sot që flasim qeveria vazhdon paguan diferencën mes faturës që shkon në shtëpitë e 726 mijë familjeve konsumatore dhe 95 mijë biznese të vogla, me faturën reale. Kjo kërkon që shumë para që hiqen nga diku tjetër, ndërkohë që ne nuk e dimë edhe sa kohë akoma do të duhet të përballemi me këtë çmenduri në çmimin e energjisë elektrike. Prandaj edhe së paku jo se do të na zgjidhi problemin, pot në funksion të kësaj, kemi më shumë nevojë sot për sensin e shpërndarjes së barrës dhe marrjes përsipër të peshave nga kjo peshë e përbashkët, sipas mundësive”, tha ai.